24 kursantë përfundojnë Kursin e 20-të Bazë “Komando”, përfshirë 8 nga Kosova. Ministri Vengu: NATO, e ardhmja jonë e përbashkët.
di Redazione
07/01/2025
Pas 14 javësh stërvitjeje intensive dhe përkushtimi, 24 efektivë përmbyllën me sukses Kursin e 20-të Bazë “Komando”. Ndër ta, gjendeshin edhe 8 efektivë nga Kosova, dhe për herë të parë në histori, kursi u përmbyll nga dy vajza. Gjatë ceremonisë së ndarjes simbolike të beretave, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, homologu i tij nga Kosova, z. Ejup Maqedonci, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Altin Kurti, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Ilir Xhebexhia, si dhe familjarë të kursantëve.
Në fjalën e mbajtur, ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, shprehu nderin dhe emocionet e tij për të qenë pjesë e kësaj ceremonie të veçantë.
“Sot nisin rrugëtimin e tyre të vërtetë 8 anëtarë të Forcës Speciale të Kosovës, të cilët do t’i shërbejnë vendit të tyre në këto kohë jo shumë të paqta”.
Teksa vlerësoi punën e bërë nga të gjithë efektivët, ministri Vengu u shpreh se: “Ndjenja e vetëmohimit dhe dashuria që keni për këtë uniformë nuk kam dyshim që ju ka shtyrë të nisni këtë kurs intensiv, ku nuk vihet në provë vetëm ngarkesa fizike, sepse një peshë po aq të madhe ka edhe ajo mendore e profesionale. Ju sot jeni pararojë e forcave tona ushtarake dhe nuk mund veçse të jem i lumtur që keni zgjedhur të hidhni një hap edhe më të madh e dinjitoz për ju, për ne dhe për Forcat e Armatosura”.
Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë deklaroi krah homologut të tij nga Kosova se: Nuk mund veçse të ndihem edhe më optimist, sepse e ardhmja e dy vendeve tona është në trungun e përbashkët të Aleancës, edhe pse shpirtërisht dhe emocionalisht nuk jemi ndarë asnjëherë”.
“Shpërndarja simbolike e beretave për kursantët sot nuk është fundi i misionit për ne, por fillimi i një kapitulli tjetër për të çuar përpara dhe zhvilluar edhe më shumë misione të tilla kaq të rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, Kosovës e si pasojë gjithë Ballkanit. Kjo ceremoni forcon jo vetëm marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit në fushën e arsimit ushtarak, por rrit edhe nivelin e shkëmbimit të eksperiencave me Kosovën, të cilën kemi dyfish përgjegjësi për ta ndihmuar e mbështetur në rrugën e anëtarësimit drejt strukturës më të madhe të sigurisë që ka njohur njerëzimi, Aleancës së NATO”, - theksoi ministri Vengu.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, z. Ejup Maqedonci, e cilësoi periudhën aktuale si momentin më të lartë të marrëdhënieve në fushën e Mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ai falënderoi ministrin Pirro Vengu për angazhimin e tij në forcimin e këtij bashkëpunimi të ndërsjellë.
Gjatë ceremonisë, kursantët demonstruan aftësitë e tyre përmes skenarëve praktikë, si goditja e objektivave, infiltrim nga ajri dhe toka, qitje me pengesa, si dhe teknika të luftimit trup me trup.
Kursi i 20-të Bazë “Komando” u zhvillua përgjatë 14 javëve, të strukturuara në 3 faza të ndryshme. Nga 38 pjesëmarrës fillestarë, vetëm 24 prej tyre e përfunduan me sukses.