Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

80 vjetori i Shkollës Ushtarake "Skënderbej", Ministri Vengu: Model i edukatës për brezat e rinj, shembull për institucionet arsimore

28/03/2025

80 vjetori i Shkollës Ushtarake

80-vjetori i themelimit të ish-Shkollës së Mesme Ushtarake "Skënderbej" u shënua me një ngjarje të veçantë, ku u mblodhën ish-nxënës, pedagogë dhe drejtues të këtij institucioni, si dhe oficerë dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura. Gjatë aktivit të pranishëm ishin ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zëvendësministri i Mbrojtjes Enkelejd Joti, deputetë të Kuvendit, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji.

Aktiviteti u hap me një interpretim emocionues të himnit kombëtar nga kuarteti i harqeve dhe këngëtarët e orkestrës simfonike të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Për të nderuar kontributin e këtij institucioni në edukimin e brezave, u shfaq një dokumentar që kujtoi historikun e Shkollës Ushtarake "Skënderbej".

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, theksoi rëndësinë dhe vlerat që Shkolla "Skënderbej" ka ofruar për arsimimin ushtarak shqiptar dhe kontribuimin në zhvillimin e Forcave të Armatosura.

"Emri Skënderbegas, ende reflekton peshën historike në radhët e Forcave tona të Armatosura. Skënderbegasit apo Beksat, siç ju e përdorni, u shquan dhe shquhen si shembull i përkushtimit, nderit, disiplinës dhe atdhetarisë. Këtë e dëshmon prania juaj sot këtu, punët dhe veprat tuaja ndër dekada. Në këtë kontekst, kjo shkollë mendoj ja ka dalë me krenari të edukojë breza të tërë dhe padyshim si çdo shkollë, ajo lëshon rrënjë të thella edhe nxjerr degë me plot fryte dhe besoj se duhet ta rimarrim patjetër si shembull, shembullin e atyre pedagogëve që me përkushtimin e të cilëve është ndërtuar, jo vetëm një gjeneratë e tërë drejtuesish ushtarakë që sot e kësaj dite vijojnë e mbajnë përgjegjësi shumë të nderuara, por edhe metodat dhe përkushtimin, të cilat duhet t’i rizbulojmë".