Abu Dhabi, Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe formalizojnë një marrëveshje strategjike për energjinë
di Redazione
15/01/2025
Sot në Emiratet e Bashkuara Arabe u formalizua marrëveshja për një investim të rëndësishëm, që përfshin lidhjen nënujore të rrjetit të energjisë mes Shqipërisë dhe Italisë në detin Adriatik, si dhe nisma për rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, ajo e Republikës së Italisë dhe Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja u firmos nga Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përfaqësuese e palës shqiptare, duke krijuar një aleancë strategjike ndërmjet vendeve për zhvillimin e energjisë së rinovueshme.
Balluku gjithashtu ndau dhe pamje të ndryshe në rrjete sociale.
"Abu Dhabi - Ka qenë një rrugë e gjatë dhe sfiduese për të arritur sot në momentin kur Shqipëria bëhet partnere e besueshme ndërkombëtarisht, me vendet lider në sektorin elektroenergjitik, falë punës së palodhur dhe angazhimit maksimal të të gjithë skuadrës."
"Nënshkruam në Abu Dhabi Memorandumin e Bashkëpunimit për kuadrin e partneritet strategjik trepalësh, për energjinë dhe infrastrukturën përkatëse, ndërmjet Italisë,Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe."
"Një bashkëpunim historik për realizimin e projekteve të energjisë së rinovueshme në shkallë gigavat në Shqipëri si dhe vendosjen e ndërlidhjes së transmetimit të energjisë elektrike Shqipëri - Itali, si pjesë e Korridorit të 8-të energjitik."
