Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpret fluturimin e parë të Sandor El Al nga Tel Avivi

02/04/2025

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mirëpret fluturimin e parë të Sandor El Al nga Tel Avivi

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) mirëpriti sot fluturimin e parë nga Tel Avivi, duke shënuar hapjen e një linje të re direkte ajrore mes Shqipërisë dhe Izraelit. Kjo linjë do të operojë tri herë në javë, duke ofruar mundësi të reja udhëtimi për turistët, udhëtarët e biznesit dhe komunitetet shqiptare dhe izraelite.

Ceremonia e mirëseardhjes u zhvillua në prani të Drejtorit Ekzekutiv të Sandor dhe Ambasadores së Izraelit në Shqipëri, të cilët u pritën nga përfaqësues të lartë të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe të Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar.

Z. Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s, deklaroi: “Jam shumë i lumtur që nisëm sot këtë fluturim të ri nga Izraeli në Shqipëri. Kjo linjë është një urë që lidh jo vetëm dy qytete, por dy popuj. E dimë që Izraeli është një treg me shumë interes për turizmin dhe shpresojmë që ky të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të suksesshëm.”

Z. Maksit Et’hemaj, Drejtor i Aviacionit Civil Shqiptar, theksoi: “Një nga detyrat kryesore të aviacionit civil është të lidhë kontinentet, shtetet, kulturat dhe njerëzit. Jemi krenarë që sot mirëpresim një operator prestigjioz si Sandor El Al, si rezultat i një pune të përbashkët dhe të vazhdueshme. Turistët izraelitë do të çojnë në vendin e tyre kujtime të bukura nga Shqipëria, dhe ky fluks pritet të vijë duke u rritur.”

Znj. Galit Peleg, Ambasadore e Izraelit në Shqipëri, u shpreh:
“Sot kemi një moment historik. E dimë që mes Izraelit dhe Shqipërisë ekzistojnë lidhje të veçanta, por tashmë kemi një fluturim direkt – një lidhje fizike. Nuk kam asnjë dyshim se Sandor Airlines do të sjellë më shumë qytetarë izraelitë në Shqipëri dhe do të çojë shqiptarë në Izrael. Kjo linjë do të forcojë më tej marrëdhëniet tona të ngushta, bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin.”

Z. Gal Gershon, Drejtor Ekzekutiv i Sandor El Al, u shpreh:
“Faleminderit për këtë mikpritje të ngrohtë. Siç e patë, pasagjerët ishin të emocionuar për këtë fluturim të parë. Jam shumë i lumtur që Sandor po lidh Izraelin me Shqipërinë. Shpresoj që gjithnjë e më shumë izraelitë të kenë mundësinë të vizitojnë këtë vend të bukur dhe të mikpritshëm, dhe po ashtu të mirëpresim më shumë shqiptarë në Izrael për të përjetuar historinë dhe kulturën tonë.”