AIDA pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshilltarëve Tregtarë të Shteteve të Bashkimit Evropian
di Redazione
04/12/2024
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), znj. Laura Saro, mori pjesë në një takim të organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku ishin të pranishëm Këshilltarët Tregtarë të Shteteve Anëtare të BE-së. Gjatë këtij takimi, znj. Saro prezantoi në detaje prioritetet dhe programet kryesore të AIDA-s.
Në prezantimin e saj, znj. Saro ofroi një pasqyrë të detajuar mbi programet aktuale dhe ato të planifikuara të AIDA-s, duke u përqendruar në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SMEs), promovimin e investimeve dhe eksporteve, si dhe kontributin e agjencisë në realizimin e Agjendës së Reformës për Rritjen. Gjatë diskutimeve, ajo theksoi nevojat për mbështetje dhe bashkëpunim, duke e vënë theksin në krijimin e një klime biznesi më tërheqëse dhe të qëndrueshme.
Në përfundim të prezantimit, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së vlerësuan qasjen proaktive të AIDA-s gjatë vitit të fundit. Ata rikonfirmuan gatishmërinë e tyre për të intensifikuar bashkëpunimin, jo vetëm në iniciativat që tërheqin investitorët e huaj në Shqipëri, por edhe në mbështetje të bizneseve shqiptare që synojnë krijimin e partneriteteve ndërkombëtare.
Kjo mbledhje ofroi një platformë të rëndësishme për forcimin e dialogut dhe partneritetit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke u përqendruar në promovimin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të përbashkët.