Akademia e Sigurisë përuron akreditimin ndërkombëtar të Kolegjit Profesional të Formimit Policor
di Redazione
23/05/2025
Akreditimi ndërkombëtar i Kolegjit Profesional të Formimit Policor përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së standardeve të avancuara të arsimit policor në Shqipëri.
Gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Akademisë së Sigurisë, Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Agjencive të Zbatimit të Ligjit (IADLEST) dorëzoi certifikatën e akreditimit për këtë institucion, duke e vlerësuar si një arritje të rëndësishme për arsimin policor dhe vetë Policinë e Shtetit.
Në këtë ngjarje morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, rektorët e Akademisë së Sigurisë dhe Universitetit të Tiranës, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe ICITAP-it, si dhe kursantë të kolegjit. Pjesëmarrësit e konsideruan akreditimin një moment strategjik për përmirësimin e trajnimit dhe edukimit të punonjësve të rendit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në fjalën e tij gjatë ceremonisë, e vlerësoi akreditimin ndërkombëtar si një dëshmi të qartë të përkushtimit institucional për zbatimin e standardeve ndërkombëtare dhe për garantimin e cilësisë në formimin profesional të efektivëve të Policisë.
“Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht ICITAP dhe IADLEST”.
Articolo Precedente
Vet Hospital , Rama : Aty ku humanizmi takon kujdesin shëndetësor