Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Ambiente të reja në Pediatrinë e QSUNT-së, Koçiu: Investimet që prekin jetët më të brishta

08/04/2025

Ambiente të reja në Pediatrinë e QSUNT-së, Koçiu: Investimet që prekin jetët më të brishta

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ndau këtë të premte pamje nga ambientet e reja të Pediatrisë së Specialiteteve në “Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”.

Përveç ndërtimit të godinës së re, një tjetër hap i rëndësishëm është edhe funksionalizimi i laboratorit të gjenetikës, i cili do të shërbejë për diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve tek pacientët më të vegjël.

“Investimet në shëndetësi kanë kuptim të plotë kur prekin jetët më të brishta, aty ku zemra rreh më fort: te fëmijët tanë”, shprehu Koçiu në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë që ka përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore për trajtimin e fëmijëve.

Ndërkohë, Anila Babameto, shefja e Shërbimit të Laboratorit të Gjenetikës pranë Pediatrisë në QSUT, tha se aktiviteti laboratorik konsiston në tre njësi të specializuara: Laboratorin e Citogjenetikës Standarde, Numerike dhe Strukturore. Këto laboratorë përbëjnë një hap të rëndësishëm për avancimin e diagnostikimit gjenetik në vend.

"Tjetër laborator i rëndësishëm që kemi ndërtuar vitet e fundit është ai i biologjisë molekulare. Në këtë laborator bëjmë diagnozën molekulare të sëmundjeve më të shpeshta në popullatën shqiptare siç është beta talasemia dhe anemia drepanociatare, njëkohësisht fibroza kistike, distrofia muskulare, por edhe diagnoza e disa sindromave të rralla gjenomike”, thotë Babameto.