Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Arrihet marrëveshja strategjike për një investim madhor në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit

28/02/2025

Arrihet marrëveshja strategjike për një investim madhor në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit

Marrëveshja për krijimin e një Data Center-i u nënshkrua sot mes shoqërisë "TEDA Tiranë", Bashkisë Tiranë dhe kompanisë izraelite "H.A.P.I Advanced Technologies LTD". Ky investim i rëndësishëm do të kontribuojë në forcimin e Shqipërisë si një qendër rajonale për ruajtjen dhe administrimin e të dhënave duke përmirësuar infrastrukturën digjitale dhe tërhequr investime të tjera në këtë sektor.

TEDA Tiranë, një projekt strategjik i iniciuar nga Bashkia Tiranë, ka si qëllim nxitjen e investimeve në teknologji dhe industri. Zona ofron lehtësira për investimet e huaja në sektorë të rëndësishëm si teknologjia, industria automobilistike, inovacioni dhe prodhimi, në përputhje me ligjin shqiptar. Me infrastrukturën moderne dhe kushte të favorshme për bizneset, TEDA Tiranë ka potencialin të bëhet një qendër kyçe për investime, duke nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin teknologjik të Shqipërisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Kryeministri Rama, i cili theksoi se ky investim strategjik prej miliona eurosh do të mundësojë krijimin e bazës më të madhe digjitale në rajon.

“Ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, qofshin ata që jetojnë këtu, qofshin ata që punojnë jashtë një punë të shumë mirëpaguar këtu në Tiranë."

Gjatë fjalimit të tij Rama shprehu dhe se dita që do të bashkohemi me BE është e afërm dhe se e kemi detyrim të mos e humbim këtë mundesi.

"Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshme me rrethanat e sotme të BE. Janë ata po kaq të dëshiruar sa ç’jemi ne që ky proces të mbyllet dhe Shqipëria të bëhet anëtare e BE dhe ne kemi detyrimin që të mos e humbim këtë mundësi, të mos humbim asnjë ditë sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë hapësirë kohore, dritarja mund të mbyllet. Shumë e thjeshtë! Dritarja mund të mbyllet dhe mund të fillojë historia nga e para, siç e kemi parë të zhvillohet kur nuk ishte kjo përputhje e interesave dhe kur pavarësisht se ne bënim detyrën tonë dilte një vend atje ose një vend tjetër dhe thoshte: jo. Pavarësisht se KE rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë, Shqipëria bllokohej nga një veto këtu nga një veto atje."-shprehu ai ndër të tjera gjatë fjalimi të tij.