Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Asambleja e Përgjithshme e Confindustria Albania, Ministri Hasani: “MEPJ, një urë e fortë për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe fuqizimin e diasporës shqiptare”

27/03/2025

Asambleja e Përgjithshme e Confindustria Albania, Ministri Hasani: “MEPJ, një urë e fortë për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe fuqizimin e diasporës shqiptare”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, ishte i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme 2025 të “Confindustria Albania”, një aktivitet i organizuar nën temën “Konkurrueshmëria dhe e Ardhmja: Bizneset, Territori, Komuniteti Konfindustrial”.

Gjatë fjalës përmbyllëse, Ministri Hasani vlerësoi rolin e rëndësishëm të “Confindustria Albania” si një partner kyç në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, duke nënvizuar mbështetjen e saj në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Për ne, ky bashkëpunim është i çmuar, dhe do të vazhdojmë ta mbështesim me shumë entuziazëm. Ky është një angazhim që kërkon bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë, ku Italia ka një rol të jashtëzakonshëm. Pas dy dekadash marrëdhëniesh intensive, Italia është një nga investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri dhe një aleat strategjik në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Ministri Hasani theksoi se Shqipëria po përjeton momentin më të favorshëm në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, me synimin për të hapur të gjithë grup-kapitujt brenda këtij viti, për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë pjesë e familjes evropiane para vitit 2030.

“Anëtarësimi në BE është një mundësi për t’u pozicionuar më mirë në një mjedis global dhe për të rritur potencialin e saj ekonomik. Kjo nuk është një mundësi që do të vijë vetvetiu. Ne duhet të punojmë ngushtë me sektorin privat për të krijuar një atmosferë investimesh dhe inovacionesh që mund të transformojnë ekonominë tonë. Roli i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) është të jetë një urë lidhëse, të promovojë eksporte dhe të tërheqë investitorë strategjikë. Për të arritur sukses në këtë proces, të cilit i jemi angazhuar plotësisht, është e domosdoshme një partneritet i fortë mes qeverisë dhe sektorit privat. Vetëm me bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë strategjikë mund të maksimizojmë përfitimet e integrimit tonë në Bashkimin Evropian”.

Ministri Hasani theksoi gjithashtu se një nga prioritetet kryesore të MEPJ është mbështetja e iniciativave që forcojnë lidhjet mes biznesit vendas dhe diasporës shqiptare.

“Diaspora shqiptare është një pasuri e jashtëzakonshme që ka potencialin të luajë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo është një nga fokuset kryesore të politikave tona. Diaspora shqiptare, veçanërisht ajo e madhe që jeton në Itali, ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në rritjen e ekonomisë shqiptare. Dhe këtu, ndaj bindjen e palëkundur se ajo është aset i paçmuar që duhet të shfrytëzohet në mënyrë strategjike.”, u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani.