Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Balluku : Grupet e punës së ARSH janë në terren për pastrimin dhe kirposjen e rrugëve

14/01/2025

Balluku : Grupet e punës së ARSH janë në terren për pastrimin dhe kirposjen e rrugëve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka ndarë pamje nga puna e ekipeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSH), të cilët janë të angazhuar në pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe në kriposjen e tyre, duke synuar lehtësimin e qarkullimit. Aktualisht, puna vijon pandërprerë deri në normalizimin e situatës.

Situata Aktuale në RAJONIN VERIOR

Qafë Mali-Fierzë, për momentin nuk ka reshje, por ka prezencë të erës së fortë e cila e kthen dëborën në rrugë. Qarkullimi vijon pa ndërprerje.

Krumë - Qafë Prush, qarkullimi vijon pa probleme. Po kështu edhe në aksin Kukës – Bushtricë.

Në aksin Bogë -Theth, reshjet e dëborës janë ndërprerë. Është bërë pastrimi dhe kriposja e rrugës, e cila tashmë është e qarkullueshme me goma dimërore.

Në aksin Hani Hotit -Tamarë dhe Tamarë - Vermosh, reshjet janë ndërprerë. Është bërë pastrimi dhe kriposja e rrugës dhe qarkullimi po kryhet normalisht.

Në aksin U. Zapotit – Shishtavec, reshjet e dëborës janë shoqëruar me erë të fortë.

Është punuar për pastrimin dhe kriposjen e rrugës. Temperatura është -9 gradë dhe trashësia e dëborës ka arritur në 70 cm.

Në aksin Kukës - Krumë dhe Kukës - U. Zapotit, vazhdojnë reshjet e dëborës, shoqëruar me erë të fortë. Qarkullimi vijon pa ndërprerje.

Në aksin Fushë Arrëz - Qafë Mali – Qafë Shllak, janë ndërprerë reshjet, por ka erë të fortë dhe temperatura shumë të ulëta, deri në -12 gradë.

Vijon puna në segmentin Skuraj-Peshkopi për pastrimin dhe kriposjen e segmentit. Reshjet tashmë janë ndërprerë, por fryn erë e fortë.

Situata Aktuale në RAJONIN QENDOR

Gjate ditës ka vijuar puna në segmentin Fresk - Trau Dajt, në km 5 për rrëshqitjen e skarpatës. Po merren masa për pastrimin e rrugës segmenti, Trau - Teleferiku, ku ka pasur reshje dëbore. Grupet e punës kanë punuar për pastrimin dhe kriposje. Rekomandohet qarkullimi me goma dimërore. Në segmentin Trau Qafë Priskë - Qafë Mollë nuk ka pasur reshje dëbore, është pastruar dhe kriposur. Rekomandohen qarkullimi me goma dimërore. Në segmentin Qafë Mollë – Bizë, qarkullimi i automjeteve rekomandohet me zinxhirë.

Situata Aktuale në RAJONIN JUGOR

Në rrugën e Korçë-Dardhë, ka vijuar puna për pastrimin e dëborës.

Në rrugën Korçë-Voskopojë, ka vijuar puna me pastrimin dhe kriposjen.

Në aksin Korçë – Ersekë, ka prezencë ere të fortë, në mënyrë të veçantë përgjatë segmentit nga Helmësi në Mollas.

Në segmentin Ersekë- Leskovik, trashësia e dëborës varion deri në 15-20 cm. Qarkullimi i mjeteve bëhet me goma dimërore ose zinxhirë. Temperaturat minimale variojnë deri në -6.

Vijon puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugës në aksin Qafë Thanë-Pogradec.Qarkullimi kryhet me goma dimërore.