Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Balluku inspektim në Lotin 4 : Gati në fund të muajt

06/12/2024

Balluku inspektim në Lotin 4 : Gati në fund të muajt

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të punimeve në këtë kantier, deklaroi se deri më 31 dhjetor, të gjitha segmentet e Unazës së Madhe do të jenë të hapura për qarkullimin e mjeteve.

“Planifikojmë që brenda fundit të këtij muaji, para datës 31 dhjetor që të dorëzojmë për akses të automjeteve të gjithë segmentin e Unazës së Madhe, pra pjesën e Unazës Lindore e cila ka qenë në ndërtim prej disa muajsh” , shprehu Balluku.

Ndërsa puna vijon me intensitet në tre turne për Lotet 5 dhe 6, ministrja bëri të ditur se Lotet 3 dhe 4 janë përfunduar plotësisht.

“Kushtet e motit nuk na kanë ndihmuar shumë ditët e fundit dhe ato janë të dëmshme kur vendosen shtresat asfaltike. Lidhja e Lotit 3 me Lotin 4 totalisht të përfunduara, ndërkohë që po punohet intensivisht në Lotin 5 dhe Lotin 6. Janë lote që kanë pasur volume më të mëdha dhe kompleksitetin e madh të shpronësimeve”, tha Balluku. Edhe inxhinieri e pohoi këtë gjë, duke shtuar se “brenda datës 31 Dhjetor do të hapet përfundimisht për të gjitha mjetet”.

Balluku nënvizoi se kantieret do të jenë nën monitorim deri në përfundimin e plotë të punimeve.

“Do vazhdojmë me inspektimet, ARRSH-ja, stafi i Ministrisë do të jetë deri në ditën e fundit në kantier. Kemi një afat që ka qenë sfidues. Por duhet thënë se në Shqipëri tashmë kemi kompani me kapacitete të jashtëzakonshme dhe që kanë ekspertizën e duhur”

Unaza e Madhe e Tiranës shtrihet në një gjatësi totale prej 28.7 kilometrash. Shpejtësia e projektuar për lëvizje është 90 km/orë, e kufizuar qëllimisht, sipas ekspertëve të ARRSH, për të garantuar siguri për shkak të numrit të madh të hyrje-daljeve.