Bashkëpunimi mes “Harry Fultz” dhe RIT, Rama: Arsim i standardeve ndërkombëtare në Tiranë
di Redazione
29/01/2025
Në vend po zgjerohet rrjeti i institucioneve të arsimit të lartë me hapjen e një akademie të re prestigjioze, American Academy of Technology, Tirana, e cila vjen si rezultat i një partneriteti strategjik me një nga universitetet më të njohura në fushën e teknologjisë, Institutin e Teknologjisë Rochester (RIT) në New York, SHBA.
Kjo akademi është rezultat i bashkëpunimit mes Institutit të njohur “Harry Fultz” dhe Institutit të Teknologjisë Rochester (RIT), një ndër universitetet më të mira amerikane, duke krijuar një mundësi të re për të rinjtë që synojnë një formim profesional dhe akademik të avancuar në këtë fushë.
Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, morën pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të programeve dhe diplomave të Rochester Institute of Technology (RIT), të cilat do të nisin në shtator të këtij viti. Programi do të ofrojë diploma të akredituara nga autoritetet amerikane, duke i dhënë studentëve një avantazh të rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të punës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi se krijimi i kësaj Akademie është pjesë e objektivit strategjik të qeverisë për të riformësuar ofertën universitare, duke e bërë më të larmishme, por mbi të gjitha duke garantuar cilësi dhe standarde ndërkombëtare.
"Kemi bërë besoj atë që është dashur të bëjmë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që sot këtu e kremtojmë këtë moment të zyrtarizmit të këtij programi dhe faktikisht të hapjes së rrugës për aplikime për të nisur me studimet në Institutin Teknologjik të Rochester këtu në këtë kampus duke filluar nga sezoni i ardhshëm akademik dhe patjetër që të gjithë atyre që janë këtu, nxënëse dhe nxënësve të Harry Fultz ju ka prirë mirë jeta që kanë ardhur në këtë derë edhe që pikërisht në momentin që janë duke studiuar këtu shfaqet kjo mundësi për t’i vazhduar dhe thelluar studimet po këtu, por duke u bërë edhe amerikan në profesion." , shprehu Edi Rama gjatë ceremonisë së prezantimit.
Ndër të tjera ai e mbylli fjalimin duke bërë një falenderim për të ngarkuerën me punë nga SHBA
"Falënderoj shumë përfaqësuesen dhe është e dyta ditë rresht që ne takohemi dhe flasim për dy realitete të reja akademike dhe profesionale që lidhen me Shtetet e Bashkuara. Dje për një qendër të re të trajnimit profesional për prodhimet audio vizuale dhe sot për këtë institut. Ministrja tha dhe të tjera realitete që janë duke u formësuar në Tiranë dhe në Shqipëri falë ndërkombëtarizimit të arsimit, kështu që kushdo të mësojë, kush do të fitojë falë punës dhe falë përpjekjeve dhe kush do pastaj të dalë i fituar nga mësimet dhe të dalë i fituar dhe në jetë, këtu në Shqipëri, duke filluar nga ky oborri këtu i ka të gjitha mundësitë ta bëjë. Kush nuk do i ka të gjitha historitë në dispozicion për të nxjerrë të gjitha llojet e justifikimeve që ky vend nuk bëhet mër jahu."