Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Besimi te Policia dhe Siguria në Shqipëri përmes Anketës Kombëtare

31/01/2025

Besimi te Policia dhe Siguria në Shqipëri përmes Anketës Kombëtare

Perceptimi i qytetarëve për sigurinë në Shqipëri dhe besimi ndaj Policisë së Shtetit u prezantua sot përmes rezultateve të anketës së gjashtë kombëtare mbi vlerësimin e punës së policisë. Ky studim, i zhvilluar nga projekti suedez për policimin në komunitet, realizohet prej 12 vitesh radhazi.

Raporti pasqyron ndryshimet dhe përmirësimet në punën e Policisë së Shtetit nga këndvështrimi i qytetarëve. Anketa, e nisur në vitin 2013 dhe e përsëritur çdo dy vjet, përdor të njëjtën metodologji dhe pyetësor, duke siguruar rezultate të krahasueshme dhe të matshme në kohë.

Rezultatet e anketës u prezantuan gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë Publike, e mbajtur në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Takimi mblodhi Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, Policisë së Shtetit, organizatave të shoqërisë civile dhe bordin e prindërve, duke përfshirë të gjithë aktorët me rol në sigurinë publike.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë Publike u krijua në tetor të vitit të kaluar me vendim të qeverisë shqiptare, si një organ kyç për koordinimin dhe mbikëqyrjen e çështjeve që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Ky këshill synon të sigurojë efektivitetin e masave dhe politikave të sigurisë, duke përfshirë të gjitha nivelet e administratës shtetërore dhe strukturat e angazhuara në ruajtjen e rendit dhe ligjit.

Duke iu referuar rezultateve të anketës, Kryeministri theksoi se: “82 % e qytetarëve ndihen sot të sigurt ose shumë të sigurt në Shqipëri dhe kjo është totalisht brenda normës së BE. Ndërsa, 65 % e qytetarëve vlerësojnë punën e qeverisë si të mirë ose shumë të mirë që është një përmirësim  domethënës në raport me nga jemi nisur.”

Më tej ai shprehu se :

"Tani duhet parë me kujdes, duhet analizuar se të çfarë natyrë janë ankesat e qytetarëve që lidhen me Policinë Rrugore, me aksidentet rrugore, me shkeljet e natyrës të qarkullimit rrugor, por nga ana tjetër këtu ne do ta ndihmojmë, flas qeveria, ministri i Brendshëm do ta ndihmojë Policinë e Shtetit me një instrument të ri që është pjesë e modernizimit të mëtejshëm teknologjik të Policisë së Shtetit dhe do të kemi një transformim epokal për sa i përket survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit."

Ai e mbylli duke folur dhe për përfshirjen e studentëve në një fakultet të ri të drejtësisë dhe me Kampusin e ri të Sigurisë.

"Tani me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të drejtësisë dhe të hetimit, rreth 100 studentë, si dhe me planin për Kampusin e ri të Sigurisë, besoj që mund të themi se Policia e Shtetit e 2030 do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në Bashkimin Europian."

Shumë faleminderit!