Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Bizhuteri kontrabandë: Vihen në pranga të dyshuarit për tregtim të paligjshëm

23/11/2023

Bizhuteri kontrabandë: Vihen në pranga të dyshuarit për tregtim të paligjshëm

Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion të koduar me emrin `Second Hand` , në kuadër të së cilit janë vënë në hetim 7 persona të dyshuar për tregtimin e bizhuterive kontrabandë. Nga operacioni i kryer prej sektorit për hetimin e krimit ekonomik  dhe financiar, u proceduan penalisht në Tiranë shtetasit me iniciale G.S , F.D, M.B, I.B, I.I, F.A, F.S, banorë në kryeqytet.

Këta individë shisnin në dyqanet e tyre sende me vlerë, pa fatura doganore e tatimore. Bizhuteritë ishin të një marke të mbrojtur,që dyshohen të kontrabanduara.

`Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, finalizuan operacionin policor të koduar “Second hand”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të sendeve me vlerë”, -thuhet në raportin e policisë së Tiranës.

Sipas nenit 180 të Kodit Penal fshehja e të ardhurave dënohet në këtë mënyrë:

Fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se pesë milionë lekë, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër kryhet me qëllim fshehjen apo shmangien nga pagimi të një detyrimi tatimor me vlerë më të lartë se tetë milionë lekë, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.

Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë

Neni 178 (Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 49)

Tregtimi, tjetërsimi ose transportimi i mallrave që dihet që janë kontrabandë, si dhe çdo ndihmë tjetër që u jepet personave që merren me këto veprimtari, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.