Çmimi i naftës ulet në tregjet ndërkombëtare
di Redazione
06/03/2025
Çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka pësuar një ulje të dukshme për kontratat e muajit Prill, duke rënë me rreth 5 Dollarë për fuçi.
Në bursën e Teksasit në SHBA, një fuçi naftë u tregtua këtë të enjte për rreth 66 Dollarë, nga 71 Dollarë që ishte në fillim të marsit.
Po ashtu, në bursën e Londrës, çmimi i një fuçi nafte e papërpunuar ra në rreth 70 Dollarë, nga 74 Dollarë që ishte më 2 Mars.
Ekspertët ndërkombëtarë e shpjegojnë rënien e çmimit të naftës me vendimin e OPEC për të rritur prodhimin e naftës me rreth 138 mijë fuçi në ditë gjatë muajit Prill.
Lëvizja e OPEC duket se ka për qëllim balancimin e rreziqeve gjeopolitike, që janë shtuar për shkak të presionit të administratës Trump për uljen e çmimeve të naftës.
Agjencitë e specializuara në tregun e naftës theksojnë se shumë anëtarë të OPEC po preferojnë të përfitojnë nga rritja e vëllimit të shitjeve, në vend të çmimeve më të larta të naftës.