Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Delegacioni Bankës Evropiane për Rindërtim dhe zhvillim (BERZH) takim me guvernatorin e bankës së Shqipërisë Genti Sejkon

15/11/2024

Delegacioni Bankës Evropiane për Rindërtim dhe zhvillim (BERZH) takim me guvernatorin e bankës së Shqipërisë Genti Sejkon

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Delegacioni i BERZH-it kryesohej nga z. Christoph Denk, Drejtor i Politikave Strategjike, z. Piotr Jacek Szpunar, Drejtor Rajonal për Poloninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, si dhe znj. Ekaterina Solovova, Përfaqësuese Rezidente e BERZH-it në Shqipëri.

Në hapje të takimit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që BERZH-i i ka ofruar institucionit që ai drejton. Ai veçoi ndihmën në mbikëqyrjen bankare, forcimin e stabilitetit financiar dhe përafrimin e rregulloreve dhe standardeve me ato të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, Guvernatori nënvizoi rolin e BERZH-it në mbështetjen e sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, transportin, turizmin dhe bujqësinë.

Takimi u përqendrua gjithashtu në analizimin e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, me theks të veçantë mbi sistemin bankar dhe perspektivat ekonomike për të ardhmen.

Guvernatori Sejko vuri në dukje se gjatë vitit 2024 ekonomia shqiptare ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm. Inflacioni është ulur në gjysmën e nivelit të tij nga viti i kaluar, ndërsa rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme në nivele të larta. Ai theksoi gjithashtu se borxhi publik dhe ai i huaj kanë pësuar rënie, ndërkohë që sektori bankar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar. Treguesit e kredive me probleme vazhdojnë të përmirësohen, dhe kreditimi në vend është në rritje. Për më tepër, Shqipëria vazhdon të shquhet në rajon për një nga normat më të ulëta të inflacionit dhe për një rritje të moderuar të kostove të financimit.

Përfaqësuesit e BERZH-it shprehën vlerësimin e tyre për rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ata theksuan se politika monetare e kujdesshme e ndjekur nga Banka dhe fleksibiliteti i regjimit të kursit të këmbimit kanë qenë faktorë kyç në përballimin e sfidave dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik, duke kontribuar që Shqipëria të shquhet për performancën e saj pozitive ekonomike në rajon. Po ashtu, ata veçuan suksesin e masave mbikëqyrëse dhe politikave rregullatore në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe në përmirësimin e kreditimit.

Përfaqësuesit inkurajuan vazhdimin e kësaj qasjeje të kujdesshme në administrimin ekonomik, duke theksuar se një bankë qendrore profesionale, e pavarur dhe e përgjegjshme, është një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë.

Në përmbyllje, ata i bënë thirrje aktorëve vendas të përshpejtojnë zbatimin e reformave strukturore, duke marrë në konsideratë perspektivën konkrete të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesit e BERZH-it shprehën mirënjohjen e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën e Shqipërisë dhe diskutuan mbi projekte të reja, duke vlerësuar potencialin ekonomik të vendit dhe duke riafirmuar angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit në fusha strategjike për Shqipërinë.