Denaj: Shtojmë vlerën dhe lehtësojmë eksportin e vajit të ullirit “Made in Berat” në tregjet ndërkombëtare
di Redazione
23/04/2025
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi se gjatë dekadës së fundit, sipërfaqet e mbjella me perime në qarkun e Beratit kanë tejkaluar 2 mijë hektarë, duke përbërë 10% të totalit të sipërfaqeve të mbjella me perime në rang kombëtar.
Ajo shtoi se pemëtaria në këtë qark siguron 20% të prodhimit të përgjithshëm të frutave në vend, me mbi 140 mijë tonë fruta të prodhuara çdo vit, ndërkohë që vreshtaria mbetet një tipar i veçantë i zonës, duke bërë që Berati të identifikohet edhe me marka të reja të verës vendase.
Gjatë një takimi me fermerë të Beratit, në prani të Kryeministrit Edi Rama, ministrja vuri në dukje se “Berati 2400 vjet” do të jetë etiketa e re për vajin e ullirit, teksa ky qark numëron mbi 2 milionë rrënjë ullinj.
“Krijimi i një bandi cilësor të vajit të ullirit me origjinë nga qarku i Beratit, do të rrisë vlerën dhe aksesin e tij në tregjet e huaja”, u shpreh Denaj.
“Përmes këtij projekti do të bëjë bashkë 50 fermerë të qarkut Berat, që operojnë në sektorin e vajit të ullirit, të cilët do të bashkëpunojnë në një zinxhir vlere me grumbulluesin dhe ku vetë bashkia ka rolin e saj për tregtimin e këtij produkti të etiketuar me markën “Made in Berati” të vaji i ullirit”, theksoi Denaj.
Sipas ministres, eksportet e vajit të ullirit kanë arritur në mbi 5 mijë ton gjatë vitit 2023, një rritje e ndjeshme krahasuar me 60 litra më parë. Ajo shpjegoi se potenciali për eksport mund të ishte edhe më i madh, por mungesa e vajit me cilësinë, paketimin dhe etiketimin që kërkon tregu italian ka qenë një pengesë.
Për këtë arsye, ministrja theksoi se projekti për përmirësimin e këtyre standardeve do të jetë prioritar gjatë vitit 2025, ndërsa trendi i rritjes së eksporteve do të vazhdojë.
Denaj nënvizoi gjithashtu se çdo vit sasia e eksporteve bujqësore është rritur me 20%, duke arritur në 540 milionë euro në fund të vitit të kaluar.