Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Denaj : Standartet e BE-së për sigurinë ushqimore dhe produktet mjekësore veterinare

18/10/2024

Denaj : Standartet e BE-së për sigurinë ushqimore dhe produktet mjekësore veterinare

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë fjalimit të saj në seancën plenare ku paraqiti “Projektligjin për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar,” theksoi se kjo nismë synon të përmirësojë kuadrin ligjor për të garantuar cilësinë, sigurinë dhe efektivitetin e produkteve mjekësore veterinare, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik, si dhe për të siguruar një ambient të shëndetshëm për kafshët dhe njerëzit.

Ministrja Denaj nënvizoi rëndësinë e këtij projektligji, i cili është harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, duke ofruar mbështetje për konsumatorët, blegtorët, klinikat dhe farmacitë veterinare, si dhe për prodhuesit dhe importuesit e produkteve mjekësore veterinare.

“Ndërhyrja e qeverisë është e nevojshme për të mbushur një vakum ligjor që ekziston në ligjin aktual, në lidhje me përcaktimin e rregullave për prodhimin, regjistrimin dhe tregtimin e produkteve mjekësore veterinare të prodhuara në Shqipëri”, shprehu ministrja

Projektligji përmban një detajim të procedurave që garantojnë prodhimin e produkteve mjekësore veterinare me cilësi të lartë, duke u mbështetur në parimet dhe praktikat e mira të prodhimit.

Gjithashtu, ai synon të përmirësojë kontrollin mbi procesin e prodhimit të këtyre produkteve, duke fuqizuar sistemin e kontrollit zyrtar, për të mbikëqyrur të gjithë zinxhirin, nga importi i lëndës aktive deri te vendosja e produktit mjekësor veterinar në treg.