Denaj takim me misionin e Bankës Botërore : Mbështetje në 6 sektorë kryesorë të Bujqësisë
di Redazione
08/04/2025
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, priti në Tiranë një delegacion të Bankës Botërore për të diskutuar projektin "Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë".
Gjatë takimit, ministrja Denaj theksoi se u diskutua rreth progresit dhe hapave të ardhshëm për zbatimin e projektit. Ky projekt, me një vlerë prej 65 milionë euro, do të përqendrohet në mbështetjen e 6 sektorëve kryesorë të bujqësisë.
“Projekti synon të ofrojë zgjidhje konkrete për përballimin e sfidave klimatike dhe ndikimeve të tyre në sektorin bujqësor, duke forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë ushqimore, në rrugën drejt “Shqipëria 2030″”, deklaroi Denaj.
Këto janë 6 pikat kyresore të sektorit të bujqësisë që do të mbështeten nga ky fond.
- Përmirësimin dhe modernizimin e sistemeve të ujitje-kullimit.
- Krijimin e "Clustereve" për Vaj Ulliri dhe Fruta-Perime për të rritur standardet e eksportit dhe marketingut të vajit të ullirit si një produkt “Premium”.
- Krijimin e Qendrave Ushqimore për grumbullimin, përpunimin, paketimin dhe shpërndarjen e produkteve bujqësore për tregje si HoReCa.
- Dixhitalizimin e bujqësisë për përmirësimin e prodhimit bujqësor.
- Rritjen e sigurisë ushqimore.
- Modernizimin e Pikave të Kontrollit Kufitar.