Dita ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit , Gonxhja : Ditë Reflektimi
di Redazione
27/01/2025
Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit shënohet më 27 janar, për të nderuar miliona viktima dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë tragjedi historike. Kjo datë, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005, përkon me çlirimin e kampit të përqendrimit Auschwitz-Birkenau më 27 janar 1945.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbi 6 milionë hebrenj dhe miliona të tjerë, përfshirë romët, personat me aftësi të kufizuara dhe kundërshtarët politikë, u vranë nga regjimi nazist.
Në këtë ditë, organizohen aktivitete përkujtimore dhe edukative për të nxitur kujtesën kolektive dhe për të parandaluar urrejtjen, racizmin dhe gjenocidet e ardhshme. Mesazhi i saj, "Kurrë më", mbetet një thirrje universale për paqe dhe drejtësi.
Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shkruajti në rrjete sociale duke shprehur se kjo është një ditë reflektimi dhe se duhen kujtuar me nderim viktimat e pafajshme të regjimit.
"Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, kthejmë sytë drejt një prej kapitujve më tragjikë të historisë njerëzore, duke kujtuar me nderim viktimat e pafajshme dhe duke vlerësuar aktet e guximshme të atyre që zgjodhën humanizmin përballë errësirës. Në këtë ditë reflektimi, nderojmë ndër të tjera edhe popullin shqiptar, i cili, i udhëhequr nga tradita e lashtë e mikpritjes dhe kodi i besës, shpëtoi duke i hapurt dyert e shtëpisë qindra hebrenj nga përndjekja e pashpirt gjatë Luftës së Dytë Botërore."
"Heroizmi i shqiptarëve, një shembull i rrallë i solidaritetit dhe humanizmit, do të përjetësohet së shpejti në muzeun “Besa”, i cili do të ngrihet në zemër të Tiranës. Ky muze do të jetë më shumë sesa një hapësirë kujtese; do të jetë një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, një homazh për guximin dhe fisnikërinë, një vend ku tradita e paqes, tolerancës dhe respektit për jetën njerëzore do të frymëzojë brezat e ardhshëm."
"Gjithashtu, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, kemi nisur ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, që do të hedhë dritë mbi traditat e solidaritetit dhe humanizmit të rrënjosura thellë te shqiptarët, duke paraqitur lidhjen e jashtëzakonshme midis shqiptarëve dhe komunitetit hebre këtu dhe nëpër botë."
Gonxhja ndau pamje nga projekti "Muzeut Hebraik" në Vlorë i cili do të jetë në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
"Shqipëria, përmes këtyre muzeve, do të flasë me zërin e saj të veçantë për botën, duke dëshmuar se drita e humanizmit mund të triumfojë falë vlerave shpirtërore edhe në errësirat më të thella të historisë."
