Divjakë, në fermën blegtorale “Vjen”, një model sukses në prodhimin e produkteve vendase
di Redazione
17/03/2025
Kryeministri Rama vizitoi sot fermën blegtorale “Vjen”, një nga modelet më të suksesshme në Shqipëri, e cila falë mbështetjes me fonde dhe subvencione ka rritur kapacitetet e saj të prodhimit, duke arritur deri në 19 ton litra qumësht në ditë.
Përkrah zëvendëskryeministres Belinda Balluku, drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, dhe zëvendësministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, ai pa nga afër të gjithë procesin që kalojnë krerët, duke filluar nga ushqyerja deri te mjelja.
“Kemi qenë në kapacitete rreth 1050 krerë, sot jemi 1700 krerë, shpresojmë që në vitet e ardhshme të shkojmë në 2000 krerë. Dhe jemi munduar jo të rritemi shumë në numër krerësh po të rritemi aq sa kemi mundësi të prodhojmë ushqim voluminoz me pjesën më të madhe të punës, pra të ushqimit të prodhuar këtu në vend. Prodhojmë çdo ditë rreth 19 ton qumësht, e shesim në 4 fabrika këtu në Shqipëri."-shprehu dikush nga sipërmarrësit.
Kryeministri vlerësoi punën e realizuar në këtë fermë dhe theksoi se prioritet duhet të jetë bashkimi i forcave për zhvillimin e mëtejshëm.
"Edhe ne kemi bërë goxha progres te kjo pikë, po prapë na duhet. Dhe kjo që thotë Dhimo, pa veteriner ku të shkosh, kush të lë. Dhe nuk është çështja vetëm për BE-në, është çështja për shëndetin, është çështja për sigurinë. Këtu çështja nuk është për të mos i dhënë, këtu çështja është për t’i shtuar. Po për ti shtuar që ti shtojnë. Pra ka dy lloj mënyrash për ta dhënë: O jep subvencion si lëmosh sociale dhe ajo nuk sjell asgjë, vetëm riciklon mbijetesën, ose jep një subvencion që jep diçka dhe ajo rritet. Ne kemi kohë që e kemi ndryshuar linjën dhe hap pas hapi po kalojmë te zhvillimi, por ne nuk jemi aq të pasur sa t’i bëjmë të dyja. Ne duhet të bëjmë një zgjedhje, dhe kjo është zgjedhja që kemi bërë dhe po funksion”, – shprehu Kryeministri Rama.