Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri

10/12/2024

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, SH.T.Z. Faisal Ghazi Hifzi.

Gjatë bisedës, u theksua niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit mes dy palëve, i cili reflektohet qartë në një sërë takimesh dhe vizitash të përbashkëta, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve dhe garantimin e sigurisë për qytetarët e të dy vendeve.

Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit riafirmuan angazhimin për të forcuar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese saudite, në përputhje me fushat prioritare të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2023. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, janë krijuar grupe pune teknike nga të dyja palët.

Gjatë bisedës, u vlerësua gatishmëria për të mbështetur Policinë e Shtetit të Shqipërisë në përmirësimin e kapaciteteve logjistike dhe profesionale, përmes organizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave.

Po ashtu, u ra dakord për realizimin e një vizite nga një delegacion i nivelit të lartë të Policisë së Shtetit në Arabinë Saudite. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i përvojave dhe përfitimi i njohurive mbi funksionimin e strukturave kyçe në luftën kundër krimit dhe shërbimin ndaj qytetarëve, në Policinë Saudite.

Drejtori i Përgjithshëm shprehu mirënjohjen ndaj Ambasadorit të Mbretërisë së Arabisë Saudite për kontributin e tij të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe për angazhimin e tij në krijimin e mundësive të reja për punonjësit e Policisë shqiptare, me mbështetje nga Arabia Saudite.