Drejtori i Përgjithshëm u takua me drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, znj. Giulia Re
di Redazione
12/02/2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një takim drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, znj. Giulia Re. Ajo u shoqërua nga drejtuesja e projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi”, znj. Iva Çoku, i cili realizohet në Shqipëri si pjesë e një programi të përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.
Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm mes dy institucioneve dhe diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, si dhe trajnimin e punonjësve të Policisë në të gjithë vendin, në kuadër të projektit kundër diskriminimit.
Znj. Re e vlerësoi Policinë e Shtetit si një partner të rëndësishëm në luftën kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Ajo theksoi angazhimin për të mbështetur më tej Policinë e Shtetit dhe ofruar trajnime për punonjësit e Policisë në sektorë të ndryshëm, përmes projektit kundër diskriminimit dhe nismës për trajnimin e trajnerëve.
Drejtuesja e projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi”, znj. Iva Çoku, e falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksoi se punonjësit e Policisë janë ndër përfituesit kryesorë të këtij projekti, i cili ka për qëllim përmirësimin e mbrojtjes kundër diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes/krimeve të urrejtjes.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri dhe drejtoreshën e projektit kundër diskriminimit për mbështetjen e dhënë deri tani dhe për mundësitë e trajnimit të ofruara për punonjësit e Policisë së Shtetit. Ai theksoi rëndësinë që këta punonjës të jenë të përgatitur për të trajtuar raste që përfshijnë shtetas nga minoritete apo grupe të tjera vulnerabël, të cilët mund të jenë objekt diskriminimi.