Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Tiranës
di Redazione
30/04/2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim të posaçëm me Këshillin e Prindërve të Tiranës.
Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit të përgjegjësive mes institucioneve dhe prindërve, me synim kryesor garantimin e sigurisë së fëmijëve – një nga prioritetet kryesore të punës së Policisë së Shtetit.
Disa nga temat e diskutuara gjatë takimit ishin:
- Siguria e nxënësve në ambientet e shkollës dhe përreth saj.
- Siguria rrugore përreth shkollave.
- Siguria kibernetike dhe mbrojtja e fëmijëve, online.
- Garantimi i sigurisë gjatë aktiviteteve sociale, në të cilat janë të përfshirë fëmijë dhe të rinj.
- Bashkëpunimi midis komunitetit të prindërve dhe Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e veçantë të këtij takimi dhe vlerësoi rekomandimet e Këshillit të Prindërve të Tiranës, duke i cilësuar ato të domosdoshme për rritjen e sigurisë së fëmijëve , të ardhmes së vendit. Ai siguroi se strukturat e Policisë së Shtetit, në mbarë vendin, janë plotësisht të përkushtuara për të bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me të gjithë aktorët e përfshirë në garantimin e sigurisë në shkolla.
“Policia e Shtetit e ka prioritetet sigurinë në shkolla. Policia vlerëson maksimalisht çdo konflikt, edhe ato të vogla ndërmjet bashkëmoshatarëve, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë, drejtuesit e shkollave dhe patjetër, me bordet e prindërve që kanë një rol thelbësor në këtë proces. Kam dhënë porosi të veçantë që pavarësisht ngarkesës që kanë shërbimet policore, të intensifikojnë monitorimet në shkolla, sidomos gjatë javëve të fundit të mësimit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me oficerët e sigurisë, punonjësit socialë dhe me policitë bashkiake.” , shprehu Proda gjatë takimit.