Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Drejtori i Policis së Shtetit Ilir Proda pret në takim Ambasadorin e Turqisë Tayyar Kağan Atay

09/01/2025

Drejtori i Policis së Shtetit Ilir Proda pret në takim Ambasadorin e Turqisë Tayyar Kağan Atay

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay.

Gjatë bisedës, të dy palët vlerësuan arritjet e deritanishme të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese turke, si dhe me ambasadën turke në Tiranë. Ata theksuan rëndësinë e forcimit të këtij bashkëpunimi, duke synuar luftën kundër veprimtarive kriminale dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim.

Drejtori Proda ka shprehur mirënjohje të veçantë për bashkëpunimin me autoritetet turke, i cili mundësoi arrestimin në Turqi të shtetasit të shumëkërkuar Dritan Rexhepi dhe ekstradimin e tij në Shqipëri.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falënderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare."

"Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave."

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, SHTZ Tayyar Kağan Atay, vlerësoi bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese turke dhe Policisë së Shtetit shqiptar. Ai siguroi Drejtorin Proda se ambasada turke në Tiranë është e angazhuar plotësisht për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për krijimin e mundësive të reja për stafin e Policisë shqiptare nga Policia turke.