Drejtori i Policisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, marrëveshje për hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore
di Redazione
05/02/2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, bien dakord për masa të përbashkëta në identifikimin dhe hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve përkatëse, me qëllim hetimin efikas të shkeljeve zgjedhore.
Drejtuesit e të dy institucioneve ranë dakord për një sërë masash administrative që synojnë identifikimin dhe hetimin e shpejtë e efektiv të krimeve zgjedhore. Ky angazhim i përbashkët do të realizohet përmes një koordinimi të plotë të strukturave përkatëse, të cilat do të veprojnë në përputhje me nevojat specifike të periudhës zgjedhore.
Gjithashtu, hetimi i krimeve zgjedhore do të jetë një prioritet institucional, duke u trajtuar nga struktura të posaçme hetimore të përbëra nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Këto njësi të dedikuara do të mbështeten nga Policia e Shtetit me burimet e nevojshme njerëzore dhe teknike, duke përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i siguroi Prokurorin e Përgjithshëm për angazhimin maksimal të strukturave policore gjatë procesit zgjedhor, duke respektuar plotësisht kuadrin ligjor në fuqi. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të vlerësimit ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar në zgjedhjet e mëparshme, falë qëndrimit të paanshëm të Policisë së Shtetit ndaj palëve të përfshira në procesin zgjedhor.
Gjithashtu, të dy drejtuesit shprehën angazhimin e tyre të plotë institucional dhe inkurajuan qytetarët e çdo subjekt tjetër që të denoncojnë në kohë çdo krim zgjedhor. Ata nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit me organet ligjzbatuese për të garantuar hetimin e plotë dhe të paanshëm të këtyre veprave.