Drejtori i Policisë së Shtetit në konferencë me përfaqësues të kursit të lartë të studimeve të Ministrisë së Brendshme Franceze
di Redazione
20/05/2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një konferencë me pjesëmarrësit e kursit të studimeve të larta të Ministrisë së Brendshme të Francës.
Gjatë fjalës së tij, z. Proda prezantoi misionin dhe rolin e Policisë së Shtetit, strukturën organizative dhe reformat që synojnë modernizimin e këtij institucioni. Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndau sfidat kryesore me të cilat përballet Policia në shërbim të qytetarëve.
Gjatë konferencës, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Boshnjaku.
Drejtori Nallbati prezantoi operacionet e zhvilluara nga Policia Kriminale në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe agjenci ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, Drejtori Boshnjaku pasqyroi transformimin e Policisë Kufitare, duke theksuar rritjen e kapaciteteve parandaluese dhe goditëse ndaj krimeve në zonat kufitare.
Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe shkëmbimi të përvojave mes institucioneve të sigurisë..
“Policia e Shtetit ka kaluar dhe po kalon nëpër procese reformimi me qëllim rritjen e profesionalizmit, transparencës dhe besimit të publikut. Janë bërë përpjekje për modernizimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve si dhe përdorimin e teknologjisë moderne për hetim dhe kontroll në territor. Policia e Shtetit është një institucion kyç për funksionimin e shtetit dhe mbrojtjen e qytetarëve. Reformat e mëtejshme, profesionalizmi dhe bashkëpunimi me komunitetin janë thelbësore për përmirësimin e vazhdueshëm të këtij institucioni”, shprehu Proda.