Edi Rama prezanton "Transparent Albania"
di Redazione
13/12/2024
Eventi i sotëm, i mbajtur në kuadër të Javës së Integritetit, kishte si temë kryesore "Ndërtimi i Besimit – Rruga e Shqipërisë drejt BE-së dhe qeverisjes transparente". Gjatë aktivitetit u prezantua platforma "Transparent Albania", e cila ofron një portë të thjeshtë dhe të shpejtë për akses në informacion, duke e vendosur transparencën buxhetore në qendër të prioriteteve.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se “Platforma ‘Transparent Albania’ është konceptuar si një mjet praktik dhe i vlefshëm për çdo qytetar. Ajo ofron mundësinë për të ndjekur në mënyrë të thjeshtë dhe transparente se ku shkojnë fondet publike, si hartohen politikat dhe si angazhohen institucionet për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Synimi i saj kryesor është të garantojë një shtet të aksesueshëm lehtësisht, madje edhe përmes një telefoni, duke eliminuar burokracitë e panevojshme.
Kryeministri Rama e përshkroi platformën "Transparent Albania" si “një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë".
"Është një platformë e cila padiskutim shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve të një shteti europian të së drejtës dhe është nga ana tjetër një mundësi e re për të krijuar një bazë shumë më të gjerë informacioni në kohë reale edhe për të gjithë punonjësit e informacionit, domethënë, për të gjitha mediat."
"Besoj që është një platformë, e cila ka edhe një vlerë të vetën të veçantë në kohën që jetojmë ku fluksi i të pavërtetave, fluksi i gjysmë të vërtetave që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, fluksi i dezinformimit të qëllimshëm apo të paqëllimshëm dhe shpejtësia e shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara vetëm rriten. Është një fenomen global nga i cili ne nuk bëjmë asnjë dallim."
Articolo Precedente
Igli Hasani mikpret ambasadorët e akredituar në Shqipëri