Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Edi Rama takim me ekipin Ushtarak dhe Civil të Misionit të Shqipërisë në NATO

18/12/2024

Edi Rama takim me ekipin Ushtarak dhe Civil të Misionit të Shqipërisë në NATO

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim domethënës me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë në NATO, duke vlerësuar kontributin e tyre në përfaqësimin e vendit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Gjatë vizitës, ai pati gjithashtu mundësinë të takojë shqiptarët dhe shqiptaret që shërbejnë në zyrat qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke i përgëzuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në promovimin e vlerave dhe interesave të Shqipërisë brenda strukturave të NATO-s. Ky takim përforcon angazhimin e vendit tonë në rolin e tij si anëtar i besueshëm dhe aktiv i Aleancës, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.

"Dua të falenderoj vërtetë shumë sinqerisht dhe jo diplomatikisht ambasadorin. Nuk do ma kishte rrokur imagjinata një grup të tillë kaq domethënës dhe në numër, po të kemi parasysh madhësinë e vendit tonë, me vajza, djem, gra dhe burra që këtu në qendrën e NATO-s kontribuojnë qoftë për misionin e Shqipërisë, qoftë dhe për stafin ndërkombëtar të NATO-s, si pjesë të tij."

"Tani sigurisht që ambicia ime dhe ambicia jonë nuk mund të mos jetë që pjesën që na e kanë marrë të huajt, t’ua rimarrim. E di që kjo kërkon akoma më shumë punë, kërkon akoma ca kohë, sepse të huajt kanë një gjë që ne nuk e kemi akoma, që mund t’iu trajtojnë po kaq mirë sa ç’po ju trajtoj unë sot, por ndryshe nga unë që pasi t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri do të largohem, ata kur largohen ju paguajnë shumë më mirë sa ç’mund t’ju paguajmë ne, kështu që këtë hendek ne jemi duke e zvogëluar, por është ende një hendek."

"Misionit këtu në NATO, i them që sa herë hyni dhe dilni në zyrat ku unë sapo hyra, mos e harroni që keni privilegjin të jeni jo thjesht në këtë qendër globale të sigurisë, por edhe të punoni për ditë në ambasadën më të madhe që ka Republika e Shqipërisë jashtë për nga pikëpamje e hapësirës, madje, madje, meqë jemi këtu mes nesh, ta themi deri në fund, më erdhi mirë në mënyrë paksa si shumë shqiptare kur pashë finlandezët edhe suedezët që ishin futur në një si, ishin futur në një si cep këtu në kat të parë, midis farmacisë dhe dyqanit të fruta perimeve, siç do të kishim qenë ne në rast se do ta rendisnim vendndodhjen në godinë në bazë të disa kritereve të tjera, por, suedezët dhe finlandezët aty në cep në kat të parë, ne në kat të fundit edhe gjenerali zyrën me pamje nga deti, këto mund të jenë gjëra të dorës së dytë, por në fakt bëhen gjëra të dorës së parë kur mungojnë, kështu që mos e harroni këtë gjë. Edhe uroj shumë që këtë fundviti ta keni sa më të qetë, sa më të gëzuar, por që të jem shumë i sinqertë me ju, nuk ua kam zili fare këtë qiellin pa diell."