`Ekonomia do të rritet`/ Perspektivat e zhvillimit të vendit janë pozitive
di Redazione
27/10/2023
Në një konferencë të përbashkët me të pranishëm Guvernatorin Sejko, shefja e misionit të FMN-së, Anke Weber dhe ministrin e Financave, Ervin Mete u tha se vendi ynë ka një nga normat më të ulta të inflacionit dhe vazhdon ta ketë.
“Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive. Parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia do të vazhdojë të rritet në vazhdimësi. Ndërsa inflacioni do të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë vitit të ardhshëm”, - u shpreh Guvernatori.
Ai theksoi se presionet e brendshme të inflacionit janë akoma të larta. Gjatë vitit të fundit Shqipëria ka pasur një ekonomi pozitive,në një këndvështrim global dhe jo favorizues.
Ecuria është e dukshme në këto aspekte:
1-Në rritjen e pandërprerë të aktivitetit ekonomik, të punësimit dhe të pagave, të cilat kanë përmirësuar gjendjen financiare të familjeve dhe bizneseve shqiptare;
2-Në reduktimin e ndjeshëm të inflacionit nga nivelet e larta të një viti më parë. Inflacioni ka rënë në 4.1% në muajin shtator të këtij viti, nga 8.3% në muajin tetor të vitit 2022. Kjo ecuri tregon për një progres të rëndësishëm në arritje të stabilitetit të çmimeve;
3-Në qëndrueshmërinë e sektorit bankar, i cili paraqet tregues të stabilizuar apo në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit dhe të përfitueshmërisë. Ky sektor ka vijuar të ofrojë fondet e nevojshme për rritjen e konsumit dhe të investimeve;
4-Në përmirësimin e pozicionit të jashtëm të vendit, të pasqyruar në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente dhe rënien e borxhit të huaj. Ky zhvillim pasqyroi rritjen e fortë të aktivitetit turistik dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte;
5-Në përmirësimin e pozicionit fiskal, të pasqyruar në rënien e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.
Banka e Shqipërisë gjykon se forcimi i ritmit të zhvillimit të vendit dhe i qëndrueshmërisë së tij kërkon vazhdimin e reformave strukturore.
Këto reforma duhet të synojnë në mënyrë prioritare rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe duhet të ankorohen gjithnjë e më tepër në procesin e integrimit evropian.
Articolo Precedente
Eksplorimi i Tiranës në 48 orë: Një aventurë e shpejtë në kryeqytet
Articolo Successivo
Turizmi i Tiranës: 8 destinacione të shquara agroturistike