Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Elisa Spiropali, merr pjesë në ngjarjen e zhvilluar në Bari për nder të 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit

03/03/2025

Elisa Spiropali, merr pjesë në ngjarjen e zhvilluar në Bari për nder të 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, mbajti një fjalim në ceremoninë e organizuar sot në Bari, me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit. Në këtë aktivitet morën pjesë autoritete të larta të Barit dhe rajonit të Puglias, deputetët Mimi Kodheli, Pandeli Majko dhe Milva Ekonomi, si dhe kryetarë bashkish, drejtues universitetesh dhe studiues nga Shqipëria dhe Italia.

Para fillimit të kësaj ceremonie, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, u prit në takim nga Kryetari i Bashkisë së Barit, Vito Leccese. Ajo shprehu mirënjohjen e saj ndaj Bashkisë dhe Universitetit të Barit “Aldo Moro” për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore në nder të patriotit dhe shkrimtarit Luigj Gurakuqi.

Gjatë ceremonisë, znj. Spiropali, z. Leccese dhe autoritete nga të dy vendet vendosën kurora dhe buqeta me lule pranë pllakës përkujtimore të Luigj Gurakuqit.

“Luigj Gurakuqi e mbylli rrugëtimin e tij tokësor në këtë qytet që e ka dashur ndoshta më shumë se atdheun e tij, Shqipërinë.Delegat në Kuvendin e Vlorës, autori që shkruajti tekstin e Deklaratës së Pavarësisë dhe bashkëfirmëtar i saj, do të mjaftonin që Luigj Gurakuqin ta quajmë një ndër etërit themelues të shtetit shqiptar."

"Etërit themues të Shqipërisë, u ndodhën në ato kohëra historike, përballë një lutjeje këmbëngulëse të popullit shqiptar: Bëni diçka për fatin e vendit tonë. Ata kanë dhënë jetën e tyre për Shqipërinë.Luigj Gurakuqi u vra në një periudhë të trazuar për Shqipërinë, në një kohë të turbullt për Italinë dhe në dekadë të mjegullt për Europën dhe botën."

Më tej ajo foli dhe për zgjedhjet të cilat shqiptarët dhe italianët bënë në mënyrë që të ruajnë dhe të zhvillojnë miqësinë e tyre.

"Gjatë sfidave me të cilat historia i përballi gjatë një shekulli prej vrasjes së Luigj Gurakuqit shtetet e tyre, shqiptarët dhe italianët zgjodhën me mënçuri e inteligjencë të ruajnë e të zhvillojnë miqësinë mes tyre.

Kjo pllakë, sot në 100-vjetorin e vrasjes së këtij vigani liberator, siç do ta quante Fan Noli, shikon dhe konfirmon se ëndrra e Luigj Gurakuqit për një Shqipëri “në caqet e idealit të tij”, siç shprehej në përcjelljen e tij shqiptari tjetër i madh Hasan Prishtina, po realizohet.”