Elisa Spiropali, mirëpriti anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës
di Redazione
18/12/2024
Në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, priti anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, përfshirë Kryetarin Mark Gjonaj dhe anëtarët Lazim Destani, Emina Cunmulaj, Rosario Petta, Anxhela Paparizo, Ira Londo, Drita Gjongecaj, Mirela Mezani, Vaxhid Sejdiu, Ardian Lekaj, Besmir Rrjolli, Anila Hyka Smorgrav, Sezar Jakupi, Brikena Muharremi dhe Ermal Sulaj.
Ajo shprehu mirënjohjen e thellë për anëtarët e Këshillit për përkushtimin e tyre me pasion, energji dhe forcë intelektuale e shpirtërore, në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes komuniteteve të Diasporës dhe Shqipërisë.
Spiropali dhe anëtarët e Këshillit diskutuan për kushtet ligjore që mundësojnë votimin e anëtarëve të Diasporës nga vendet ku jetojnë, të cilat u mundësuan pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Aktualisht, po përcaktohen modalitetet teknike për realizimin e këtij procesi, ndërsa Kuvendi dhe Këshilli do të bashkëpunojnë për organizimin e fushatave ndërgjegjësuese, me qëllim që sa më shumë anëtarë të Diasporës të ushtrojnë këtë të drejtë politike.
Gjithashtu, u diskutua për rritjen e kontributit të Diasporës dhe për maksimalizimin e potencialeve të saj financiare, njerëzore dhe sociale në zhvillimin e Shqipërisë. U theksua rëndësia e bashkëpunimit për krijimin mundësive për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e lindur në vendet pritëse, duke përfshirë edhe mësimin online. Investimi në gjuhën shqipe, si element kyç i identitetit dhe faktor unifikues për shqiptarët, do të jetë një prioritet në bashkëpunimin mes Kuvendit dhe Këshillit Koordinues të Diasporës.