Elisa Spiropali priti Komisionin për Integrimin Evropian të Asamblesë Kombëtare të Turqisë
di Redazione
26/02/2025
Elisa Spiropali, Kryetarja e Kuvendit, priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Integrimin me Bashkimin Evropian të Asamblesë Kombëtare të Turqisë, të udhëhequr nga Burhan Kayaturk.
Në takim morën pjesë anëtarët e grupit të miqësisë me Turqinë, deputetët Arben Pëllumbi, Bardhyl Kollçaku, Kreshnik Çollaku, dhe ambasadori i Turqisë, Tayyar Kağan Atay. Në fillim të takimit, delegacioni u përshëndet gjithashtu nga Kryeministri Edi Rama.
Znj. Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha aspektet dhe nivelet, duke shprehur vullnetin e Kuvendit për të vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm parlamentar me Asamblenë e Madhe Kombëtare, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe niveleve të larta. Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu për progresin e shpejtë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si një objektiv strategjik kombëtar, dhe mbështetje për integrimin euro-atlantik të Kosovës.