Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Etiketa nëpër rafte/ Nis në Nëntor kontrolli për zbatimin e Ligjit të Informimit të Konsumatorit

01/11/2023

Etiketa nëpër rafte/ Nis në Nëntor kontrolli për zbatimin e Ligjit të Informimit të Konsumatorit

Muaji Nëntor nis me rregulla të reja për prodhuesit dhe njësitë tregtare të bukës. Më konkretisht, pas 15 Nëntorit , Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ushtrojë kontroll për zbatimin e ligjit të informimit të konsumatorit.

Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave u ka kërkuar furrave të bukës të vendosin  etiketat treguese për çdo lloj buke, duke shpjeguar  karakteristikat e tyre: llojin e bukës, peshën konkrete dhe çmimin e shitjes. Etiketat duhet të vendosen në raftet poshtë çdo lloj buke.

Gjithashtu çdo furrë duhet të ketë dhe një listë informuese me çmimin e shitjes për 1 kg për çdo lloj buke.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit dhe sanksione

“Subjektet e prodhimit dhe tregtimit të bukës janë të detyruara që në zbatim të neneve 7, 8, 9 të ligjit 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit” i ndryshuar, të paraqesin në formë grafike (etikete) ose në formën e një liste të përgjithshme çmimin për 1 kg bukë të çdo lloji që subjektet tregtojnë.

Në njoftimin e ISHMT shkruhet:``Çdo subjekt është i detyruar të ketë instrument matës të verifikuar nga DPM në ambientet ku kryhet transaksioni me konsumatorin”.

Shkeljet e dispozitave të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit konstatojnë se në rastet kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen nga Inspektori i inspektoratit përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut.

Parashikohet gjobë në masën 100,000 lekë dhe për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 7 për detyrimin e përgjithshëm të informimit dhe nenit 8 për etiketimin gjobë në masën 200,000 lekë.

Rritja e çmimit të bukës

Çmimi i bukës masive vijon të jetë 100 lekë që prej vitit të kaluar. Rritja e çmimit u ndikua nga shtrenjtimi i miellit.

Në mars 2022, çmimi i bukës shënoi sërish rritje, duke arritur në 100 lekë për copë, për shkak të miellit me çmim më të lartë kur nisën përplasjet Rusi-Ukrainë. Në disa rrethe, çmimi i bukës masive arriti në 120 lekë.