EURO U-17 në Shqipëri, Čeferin dhe Duka lavdërojnë organizimin e turneut
di Redazione
21/05/2025
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, së bashku me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, kanë dhënë një deklaratë për faqen zyrtare të UEFA-s, në kuadër të zhvillimit të Kampionatit Europian U-17 që po mbahet në Shqipëri, ku tashmë janë luajtur ndeshjet e para në të dy grupet.
Gjatë fjalës së tij, Čeferin uroi sukses për të gjitha tetë skuadrat pjesëmarrëse dhe vlerësoi punën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Presidentit Duka për organizimin e këtij eventi. Ai e cilësoi finalet e Euro U-17 si një tjetër arritje të rëndësishme për Shqipërinë, pas suksesit të organizimit të finales së UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022.
“Ky do të jetë turneu i parë final i UEFA-s që zhvillohet në Shqipëri dhe dua të përgëzoj Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Presidentin e saj, Armand Duka, me këtë rast të veçantë, që vjen pas finales shumë të suksesshme të UEFA Conference League në Tiranë, në vitin 2022.
Gjatë viteve, ky turne ka shënuar nisjen e karrierave ndërkombëtare të yjeve si Cristiano Ronaldo, Wayne Rooney, Cesc Fàbregas, Toni Kroos dhe Eden Hazard, për të përmendur vetëm disa, dhe jam i sigurt se në vitin 2025 do të shohim yje të rinj që do të shpërthejnë në skenën ndërkombëtare.
Uroj suksese të gjitha skuadrave pjesëmarrëse dhe fitoftë më i miri!”, – tha Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se është një nder i veçantë për Shqipërinë të jetë mikpritëse e një turneu kaq prestigjioz. Ai theksoi se investimet në infrastrukturë, përvoja e fituar nga organizimi i eventeve të mëdha dhe mikpritja e njohur shqiptare janë elementë kyç që garantojnë suksesin e këtij kampionati.
“Është një nder i jashtëzakonshëm për ne që të presim këtë turne prestigjioz, veçanërisht pas suksesit të jashtëzakonshëm të finales historike të UEFA Conference League, që solli për herë të parë në vendin tonë një ngjarje kaq të rëndësishme, tre vite më parë.
Investimet tona të vazhdueshme në infrastrukturë, përvoja e gjatë në organizimin e ngjarjeve të mëdha futbollistike dhe administrative, si dhe tradita shqiptare e mikpritjes, na ofrojnë një mundësi unike për të treguar përkushtimin tonë të palëkundur dhe angazhimin gjithnjë në rritje ndaj sportit.
Në vitet e fundit, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar me sukses shumë turne ndërkombëtarë për të rinj, ka mirëpritur mbledhje të rëndësishme të UEFA-s dhe ka zbatuar nisma të qëndrueshme sociale e mjedisore, duke forcuar edhe më tej lidhjen e futbollit me komunitetin.
Jemi krenarë që shërbejmë si platformë për të shfaqur talentet më premtues të futbollit europian dhe presim me padurim të ndajmë me të gjithë pjesëmarrësit dhe të ftuarit trashëgiminë e pasur kulturore, bukuritë natyrore dhe mikpritjen e Shqipërisë.
I urojmë nga zemra suksese të gjitha skuadrave dhe shpresojmë që ky turne të jetë një festë e paharrueshme e futbollit europian!”, – tha Presidenti Duka.

Articolo Precedente
Ndahet nga jeta Artan Lame, ish-drejtues i Kadastrës