Fillojnë panelet e debatit në ITB Berlin, Kumbaro: Po hartojmë një strategji për rikthimin e shqiptarëve në sektorin e turizmit
di Redazione
06/03/2025
Pas konferencës për media dhe ceremonisë zyrtare të hapjes, ITB Berlin ka nisur jo vetëm panairin, por edhe një seri panelesh diskutimi. Paneli i parë, me temë “Global Round Table: Next Changes, Next Challenges”, përfshiu pjesëmarrjen e Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, i moderuar nga Richard Quest, gazetar udhëtimesh i CNN.
“Në zhvillimin e turizmit nuk duhet të mësojmë vetëm nga gabimet e të tjerëve, por edhe nga historia jonë e viteve të fundit. Shqipëria sot është një tjetër vend, i transformuar tërësisht edhe falë turizmit”, u shpreh ministrja Kumbaro në këtë tryezë.
E pyetur për flukset e turistëve amerikanë në Europë, Kumbaro theksoi se “Turizmi për ne është politikbërje, për turoperatorët dhe kompanitë është biznes, por për klientët është kënaqësi. Dhe asnjë nuk mund ta ndalojë kënaqësinë. Njerëzit pas Covid duan të vizitojnë gjithmonë e më shumë vende, Shqipëria që është një destinacion i ri po sheh zgjerim të hartës së turistëve, që nga Amerika Veriore e Jugore, deri në Azi.”
Nga ky panel diskutimi, ministrja Kumbaro sqaroi qasjen e Shqipërisë për t'u pozicionuar si një destinacion turistik që ofron përvoja të nivelit të lartë dhe praktika të qëndrueshme, në harmoni me natyrën.
"Për Shqipërinë ndoshta keni dëgjuar se është vendi i nderit në ITB, por duhet të dini diçka. Është vendi me 2,4 milionë banorë që vitin e kaluar priti rreth 12 milionë vizitorë. Ne duam ta pozicionojmë Shqipërinë në kategorinë e turizmit të lartë. Më prezantuat si Ministre e Turizmit, por jam e Turizmit dhe e Mjedisit. Kemi 21,5% të Shqipërisë zonë të mbrojtur, siç edhe mbrojtëm Vjosën, lumin e fundit të egër. Sa më shumë ta konsiderojmë turizmin si armiqësor me mjedisin, aq më armiqësorë bëhen. Prandaj ne kemi zgjedhur t’i mbajmë nën një “çati” për t’i mbajtur në balancë”
Gjatë diskutimit në panel, ministrja Kumbaro përmendi gjithashtu strategjinë që po harton Shqipëria për të ofruar mundësi shqiptarëve të diasporës për t'u rikthyer dhe kontribuar në zhvillimin e vendit, duke punuar dhe investuar në atdhe.
“Prioriteti ynë janë burimet njerezore. Kemi nisur edhe një strategji për rikthimin e shqiptarëve në atdhe. Përpara së të vija në Berlin, isha në Athinë për nje panair të madh drejtuar bashkëatdhetarëve tanë.”