Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Fillon faza e dytë e Programit Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, Manastirliu: 20 mijë mësues do të përfitojnë trajnime falas në universitetet publike, me theks te teknologjia dhe përgatitja për testimet ndërkombëtare

03/04/2025

Fillon faza e dytë e Programit Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, Manastirliu: 20 mijë mësues do të përfitojnë trajnime falas në universitetet publike, me theks te teknologjia dhe përgatitja për testimet ndërkombëtare

Ka nisur faza e dytë e Programit Kombëtar për Zhvillimin Profesional të Mësuesve, një iniciativë ambicioze që synon të forcojë aftësitë e mësuesve në vend. Programi fokusohet te Gjuhës Shqipe, Matematika, Shkencat e Natyrës dhe arsimi fillor, duke i përgatitur ata për testimet ndërkombëtare si PISA dhe PIRLS.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vizitoi Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku po zhvillohen trajnimet për mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nga arsimi i mesëm i ulët dhe i lartë. Ajo theksoi se ky program është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të metodave të mësimdhënies, duke ndihmuar në arritjen e objektivave strategjike të vendit në procesin e integrimit europian.

“Për vitin 2025 janë rreth 20 mijë mësuesit të cilët do të përfitojnë trajnimet falas në universitetet tona publike falë marrëveshjeve që ne kemi bërë me 7 universitete publike. Janë më shumë se 180 pedagogët e angazhuar në trajnimin e mësuesve. Një fokus i rëndësishëm i jepet programit të teknologjisë dhe informacionit. Ne kemi bërë të mundur që të gjitha këto trajnimet të jenë të njohura me kredite specifike në mënyrë që të përfshihet te dosja personale digjitale e mësuesit edhe në sistemin SMIP dhe ju të ndihmojë përsa i përket përfitimeve që vijnë për shkallën e kualifikimit,” u shpreh Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.