Firmoset marrëveshja për përshpejtimin e procesit të pajisjes me dokumenta biometrikë
di Redazione
14/01/2025
Procesi për aplikimin dhe pajisjen me dokumente biometrike për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të bëhet më i shpejtë dhe më efikas, falë një marrëveshjeje të re bashkëpunimi.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe administratorja e përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj, nënshkruan sot marrëveshjen që synon lehtësimin e procedurave në zyrat e aplikimit të përfaqësive shqiptare jashtë vendit.
Ky bashkëpunim do të përgjysmojë kohën e marrjes së pasaportës për diasporën, duke kaluar nga 30 në vetëm 15 ditë. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi se kjo nismë vendos një standard të ri në shërbimet publike për qytetarët shqiptarë, duke ofruar një proces më të shpejtë dhe të përshtatshëm.
“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë i bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, nënvizoi ai.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi bashkëpunimin me Ministrin e Brendshme dhe IdentiTek për vëmendjen por edhe fleksibilitetin maksimal në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë më të pakta.
"Të gjithë ata që do të aplikojnë jashtë vendit, këtë shërbim do ta ndiejnë menjëherë dhe do të jenë të qartë dhe të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar sa më shumë angazhimin të cilin ne kemi marrë përsipër. Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë kudo ku janë”, tha ministri Hasani.
Sipas administratores së kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të mund të nënshkruajnë elektronikisht format e aplikimit, duke mundësuar prodhimin e dokumenteve biometrike në një kohë shumë më të shkurtër.
“Në vazhdimësi të nismave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor, në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona “mobile” do të punojnë me kapacitete të shtuara. Për sa u përket datave përkatëse ku ne do të vizitojmë vendet europiane apo SHBA, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, theksoj ajo.