Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

FSHF nderon 70 vullnetarët në një mbrëmje speciale, Duka: Rrespekt për kontributin tuaj ndaj futbollit dhe shoqërisë shqiptare

06/12/2024

FSHF nderon 70 vullnetarët në një mbrëmje speciale, Duka: Rrespekt për kontributin tuaj ndaj futbollit dhe shoqërisë shqiptare

Federata e Futbollit organizoi një event të dedikuar vullnetarëve, djemve dhe vajzave që janë pjesë e rrjetit të tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar.

Në këtë aktivitet special, të zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, morën pjesë rreth 70 vullnetarë, përfaqësues të një rrjeti me mbi 100 anëtarë. Me përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur, këta vullnetarë përbëjnë një vlerë të çmuar për Federatën e Futbollit Shqiptar, duke kontribuar në realizimin me sukses të aktiviteteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara nga institucioni.

Për të vlerësuar dhe falënderuar punën e palodhur të vullnetarëve, në këtë event të veçantë ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ai shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre të vyer, duke theksuar rëndësinë e shërbimit që ata i ofrojnë futbollit shqiptar dhe shoqërisë në tërësi.

“Është një ditë e veçantë dhe për mua shumë e bukur që jam pjesë e këtij aktiviteti, ku duam t’ju shprehim mirënjohjen dhe t’ju falënderojmë secilin nga ju që jeni në këtë sallë dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj nisme dhe vullnetarizmit për organizimet që bën FSHF.

Nëpërmjet pranimit të ftesës nga ana juaj ne jemi bërë insitucioni i parë në Shqipëri që kemi një grup vullnetarësh të organizuar. E kemi filluar me finalen e Conference League, me vullnetarë nga e gjithë Shqipëria dhe ka pasur edhe nga bota. Sot kemi një grup të konsoliduar që kontribuojnë në organizimet që bën FSHF.

Është një sakrificë nga ana juaj, por besoj se është edhe kënaqësi për atë që ju merrni. Sepse ju shihni atë që ju i shërbeni jo vetëm futbollit, por edhe shoqërisë shqiptare. Dua t’ju falënderoj shumë dhe ju inkurajoj që të vazhdoni ta bëni këtë gjë.

Jo thjesht për kontributin tuaj në organizimet tona, por edhe për mesazhet që jepni, për solidaritetin dhe emancipimin e shoqërisë. Falënderoj edhe administratën e FSHF-së, Edlirën, e cila ka qenë iniciatore dhe e kuron këtë marrëdhënie dhe e ka me shumë kujdes këtë gjë.

Është një rast i mirë për të shkëmbyer edhe mendime për punët që ne bëjmë. Do marrim opinionet tuaja për atë çka mund të përmirësojmë të gjithë bashkë. Duke qenë se jemi edhe në prag festash, ju uroj edhe Gëzuar Festat dhe vitin e ri 2025. Faleminderit”.