Garancia Evropiane për Fëmijët, Rama : Përfitojnë financim 16 mijë fëmij me aftësi të veçanta
di Redazione
09/04/2025
Tirana mirëpriti sot Konferencën Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, ku morën pjesë përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ky aktivitet shërbeu si një platformë kyçe për forcimin e politikave sociale dhe garantimin e mbrojtjes së fëmijëve në nivel rajonal.
Konferenca u përshëndet edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi rëndësinë e kësaj nisme rajonale, duke e cilësuar si një moment të vyer bashkëpunimi mes institucioneve dhe shoqërisë civile në mbarë rajonin. Ai u shpreh se kjo është një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja, për të njohur praktikat më të mira dhe për të përshtatur shembujt më të suksesshëm nga njëri-tjetri.
"Përmes Garancisë Europiane për Fëmijët, Bashkimi Europian synon që të drejtat e fëmijëve t’i sigurojë dhe t’i vendosë në fokusin e jetës së vet të përditshme dhe nga ana tjetër që përmes këtij programi të shumëfishojë të gjitha rrugët dhe të shumëfishojë të gjithë mundësitë që çdo fëmije t’i jepet një shans dhe për çdo fëmijë të ketë një perspektivë të mundshme barazie në raport me të tjetër, pavarësisht startit të ndryshëm." - shprehu Rama në lidhje me Konferencën Rajonale të zhvilluar sot dhe gjithashtu theksoi se përmes këtij programi synohet ngushtimi i hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën europiane sidomos si rezultat i goditjes që dha pandemia e disa viteve më parë.
"Këtu natyrisht që financimi i posaçëm i Bashkimit Europian lidhet me përfshirjen aktive të qeverive kombëtare dhe vendore, lidhet me përfshirjen aktive dhe në ndërtimin e partneriteteve me organizatat jo qeveritare dhe patjetër lidhet me përmirësimin e infrastrukturës arsimore sociale dhe shëndetësore, si dhe me programet mbështetëse për prindërit."