Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u mblodh për herë të 25-të në Ramstein, Gjermani.

10/01/2025

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u mblodh për herë të 25-të në Ramstein, Gjermani.

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG) zhvilloi takimin e 25-të në Ramstein, Gjermani. Vendet anëtare të koalicionit theksuan angazhimin e tyre për të garantuar vazhdimësinë e ndihmës humanitare dhe ushtarake për Ukrainën, duke synuar forcimin e pozicionit të saj në momentin kur, me iniciativën e Ukrainës, të hapen bisedimet për zgjidhjen e konfliktit.

Takimi, i kryesuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, z. Lloyd Austin, u mbajt në nivel ministrash dhe përfshiu pjesëmarrjen e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Mark Rutte, presidentit të Ukrainës, z. Volodymyr Zelenskyy, si dhe përfaqësuesve nga 50 vende që mbështesin Ukrainën. Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Dorian Tola.

Falë mbështetjes së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, deri më tani janë siguruar mbi 126 miliardë dollarë ndihma, duke i mundësuar Ukrainës furnizime jetike për t’u përballur me agresionin e vazhdueshëm rus. Ndihmat kanë përfshirë tanke, sisteme mbrojtjeje ajrore, automjete luftarake, municione, avionë F-16 dhe programe trajnimi për pilotët.

Gjat fjalës së tij sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Mark Rutte, shprehu se : “Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet, për sa i përket trajnimit dhe pajisjeve, për të mbizotëruar në këtë luftë.” Gjithashtu shprehu se lufta në Ukrainë  ka implikime të drejtpërdrejta për sigurinë globale.

Ministrat e Mbrojtjes miratuan një program udhërrëfyes të koalicioneve të aftësive, të zhvilluar nga 14 vende në bashkëpunim me Ukrainën. Ky program synon një qasje efikase dhe të qëndrueshme për adresimin e nevojave afatshkurtra dhe afatgjata të Ukrainës, duke u përqendruar në fusha si forcat ajrore, mjetet e blinduara, artileria, çminimi, dronët, teknologjia e informacionit, mbrojtja e integruar ajrore dhe raketore, si dhe siguria detare.

Në fund të takimit anëtarët e grupit ritheksuan vendosmërin e tyre të hekurt për të mbështetur Ukrainën dhe për të dhënë kontribut në sigurinë dhe stabilitetin kombëtar.