Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Guvernatori Genti Sejko zhvillon takim me delegacionin e Bankës Botërore

18/11/2024

Guvernatori Genti Sejko zhvillon takim me delegacionin e Bankës Botërore

Guvernatori Gent Sejko u takua sot me ekipin e Bankës Botërore, të drejtuar nga z. Asad Alam, Drejtor Rajonal për Zhvillimin Gjithëpërfshirës, Financat dhe Institucionet në Evropë dhe Azi Qendrore. Z. Alam vlerësoi Bankën e Shqipërisë për menaxhimin e suksesshëm të krizave të fundit, si pandemia dhe rritja e çmimeve që preku rajonin në vitin 2022.

Guvernatori Gent Sejko prezantoi një pasqyrë të situatës ekonomike të vendit, duke theksuar se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar po ndjekin një trajektore pozitive. Ai theksoi përfitimet kryesore për ekonominë dhe familjet shqiptare nga anëtarësimi në SEPA, i cili do t'u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare të kryejnë pagesa dhe transferta me të njëjtën lehtësi si qytetarët e Bashkimit Evropian, dhe anasjelltas.

Nga këndvështrimi i integrimit të vendit, anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA siguron trajtim të barabartë për shtetasit shqiptarë me ata evropianë, duke u ofruar atyre kosto më të ulëta dhe një proces më të shpejtë për kryerjen e pagesave. Gjithashtu, një përfitim tjetër i rëndësishëm është reduktimi i informalitetit dhe zgjerimi i përfshirjes financiare.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore vlerësoi politikën monetare të zbatuar nga Banka e Shqipërisë, duke e konsideruar një faktor të rëndësishëm për përparimin ekonomik të vendit. Ai theksoi se normalizimi i kujdesshëm i kësaj politike ka kontribuar në uljen e inflacionit dhe vuri në pah menaxhimin e suksesshëm të raportit të kredive me probleme, i cili ka arritur nivelet më të ulëta të më shumë se një dekade.

Në përfundim, Guvernatori Sejko shprehu mirënjohjen për Bankën Botërore si një partnere kyçe në hartimin dhe zbatimin e projekteve sfiduese që synojnë ndërtimin e një shoqërie financiarisht gjithëpërfshirëse. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për çdo individ që të zhvillohet dhe të realizojë potencialin e tij, duke vlerësuar gjithashtu asistencën teknike të vazhdueshme të ofruar nga Banka Botërore ndër vite.