Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Guvernatori Sejko në Workshopin e 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

19/11/2024

Guvernatori Sejko në Workshopin e 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

Guvernatori Gent Sejko, së bashku me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, SH.S.Znj. Ruth Huber, morën pjesë sot në përshëndetjen e Workshop-it të 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, organizuar nga Banka e Shqipërisë.

Guvernatori Sejko vuri në dukje se takimi i këtij viti zhvillohet në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri të mëdha, të shkaktuara nga një mjedis i paqëndrueshëm i inflacionit dhe normave të interesit, si dhe nga pasiguritë politike dhe institucionale, të cilat pritet të ndikojnë në ndryshime të rëndësishme në politika dhe qeverisje në vitet e ardhshme. Ai nënvizoi gjithashtu se sfidat afatgjata, si ndryshimet klimatike, digjitalizimi, përfshirja financiare dhe siguria kibernetike, kërkojnë politika të thelluara dhe të qëndrueshme, të cilat frymëzohen nga diskutimet në forume të këtij niveli.

"Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Takimin e 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë. Edhe këtë vit, kam nderin të përshëndes këtë takim, ku studiues dhe akademikë, nga rajoni dhe më gjerë, mblidhen për të diskutuar mbi sfidat ekonomike dhe financiare që prekin ekonomitë tona."

"Takimi i këtij viti vjen në një moment të veçantë, ku ekonomia globale përballet me pasiguri të shtuara që vijnë nga një mjedis i paqëndrueshëm i inflacionit dhe normave të interesit, por edhe me pasiguri politike dhe institucionale që krijojnë terren për ndryshime të rëndësishme të politikave dhe qeverisjes në vitet e ardhshme. Gjithashtu, sfidat e tjera afatgjata të lidhura me ndryshimet e klimës, digjitalizimin dhe përfshirjen financiare, apo sigurinë kibernetike, kërkojnë ndërmarrjen e politikave të rëndësishme, të cilat nxiten nga diskutime në forume të tilla."

Gjatë dy ditëve të këtij aktiviteti do të prezantohen dhe diskutohen 25 materiale studimore, ku 8 prej tyre janë hartuar nga punonjës të Bankës së Shqipërisë. Pjesa tjetër e materialeve është përgatitur nga studiues të bankave qendrore të Austrisë, Azerbajxhanit, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Italisë dhe Turqisë, si dhe nga akademikë të universiteteve në Budapest, Bukuresht, Barcelonë, Milano, Londër dhe Tiranë. Gjithashtu, në aktivitet marrin pjesë përfaqësues nga institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, Joint Vienna Institute dhe Instituti i Turizmit në Zvicër.

"Përgjatë këtyre dy ditëve, materialet dhe studimet e prezantuara do të diskutojnë mbi implikimet e normave të interesit dhe kursit të këmbimit në ekonomi dhe në sektorin financiar, duke analizuar mënyrën se si tregtia dhe financa ndërveprojnë me njëra-tjetrën, si dhe me faktorët mjedisorë, socialë dhe të mirëqeverisjes (ESG), në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë. Një tjetër çështje që do të shqyrtohet është edhe ekuilibri midis politikave monetare dhe fiskale, dinamika e financave digjitale dhe implikimet e çmimeve të pasurive të patundshme në stabilitetin makrofinanciar. Pjesë e diskutimeve do të jetë roli jetik i flukseve hyrëse të kapitalit, si investimet e huaja direkte dhe remitancat, në nxitjen e rritjes dhe të stabilitetit makroekonomik. Pjesë e agjendës së këtij viti është edhe eksplorimi i metodave të kërkimit të inteligjencës artificiale dhe të machine learnig, si dhe fuqisë së tyre transformuese në politikëbërje dhe analiza. Përdorimi i këtyre mjeteve është bërë gjithnjë e më kritik në rritjen e saktësisë dhe përshtatshmërisë së vendimeve dhe politikave, veçanërisht përballë ndryshimeve të shpejta ekonomike dhe financiare, si dhe të një informacioni gjithmonë në rritje."