Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Hapet Pediatria e Specialiteteve, Rama-Koçiu: Strukturë moderne dhe trajtime inovative për fëmijët, vijojnë investimet në Pediatrinë Infektive

21/02/2025

Hapet Pediatria e Specialiteteve, Rama-Koçiu: Strukturë moderne dhe trajtime inovative për fëmijët, vijojnë investimet në Pediatrinë Infektive

Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve në QSUNT hapi sot dyert me ambiente të rinovuara dhe kushte moderne, duke ofruar shërbime shëndetësore universitare sipas standardeve evropiane për fëmijët nga e gjithë Shqipëria. Infrastruktura e përmirësuar garanton diagnostikim të avancuar, trajtim multidisiplinar dhe mbështetje për rastet komplekse pediatrike.

Kryeministri Rama i cili ishte i pranishëm shprehu se “Më vjen shumë mirë, që mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore, ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë dhe transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive. Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë euro, një buxhet i lartë dhe paimagjinueshëm disa vite më parë, të cilin do të bëjmë çmos ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet, jo vetëm këtu në Qendrën Spitalore, por edhe në të gjithë rrjetin e shërbimit shëndetësor të Republikës”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, theksoi se misioni i shëndetësisë është të shërojë dhe të shpëtojë jetët e qytetarëve, por kur bëhet fjalë për fëmijët, ky mision merr një dimension jo vetëm profesional, por edhe njerëzor.

“Ndaj ne sot jemi këtu për ta vijuar këtë mision, për rritjen e kapaciteteve dhe të shërbimeve për trajtime inovatore dhe kushte më të mira për pothuajse 10 mijë fëmijë e familje që marrin shërbim çdo vit. Në këtë godinë që hap dyert sot “ Godina e Specialiteteve” janë të vendosura reparte të rëndësishme si ai i Nefrologjisë, i Dializës Pediatrike, i Fizioterapisë, i Pneumologjisë, i Alergologjisë, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile dhe Laboratori i Biologjisë Molekulare. Janë vendosur në fakt dhe ofrohen shërbime më të sofistikuara siç është Shërbimi i Laboratorit që Gjenetikës Klinike, një shërbim ky unik për të gjithë Shqipërinë. Ajo dhe Laboratori i Citogjenetikës Molekulare që për herë të parë na ofron trajtime të specializuara dhe të personalizuara, shumë më shumë efikase dhe me një përqindje më të lartë suksesi në trajtimin e leucemive”

Mjekët dhe infermierët do të ofrojnë shërbime me pajisje të teknologjisë më të avancuar dhe në ambiente moderne, duke siguruar cilësi të lartë sipas standardeve bashkëkohore dhe mundësi më të mira trajtimi për pacientët. Investimi në Spitalin Pediatrik të Specialiteteve përmbyll një cikël të rëndësishëm investimesh, i cili nisi me ndërtimin e Spitalit të Ri Pediatrik që përfshin Urgjencën, Reanimacionin dhe Kirurgjinë. Me përfundimin e investimit në Pediatrinë Infektive, kompletohet i gjithë Korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUNT.