Hapet Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër , një ndër infrastrukturat më moderne
di Redazione
10/01/2025
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Kociu, vizituan sot poliklinikën e specialiteteve në qytetin e Shkodrës, e cila u prezantua si një godinë me infrastrukturë dhe kushte moderne.
Poliklinika e re, me një sipërfaqe prej 1300 m² dhe një investim prej 120 milionë lekësh të reja, ka zgjeruar ndjeshëm shërbimet shëndetësore, duke kaluar nga 14 në 22 specialitete. Investimi ka sjellë shërbime të reja, përfshirë kirurgjinë, ortopedinë, infektivin, toksikologjinë, obstetrik-gjinekologjinë dhe pediatrinë. Po ashtu, janë shtuar kabinetet moderne për imazheri, radiografi, ekografi, mamografi dhe ORL.
Ky projekt i rëndësishëm përfaqëson një hap të madh drejt ofrimit të kujdesit shëndetësor të standardeve të larta jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por edhe për zonat përreth.
"Kjo është Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër e ndërtuar tërësish nga e para, jo vetëm me pajisje, por edhe me infrastrukturën tërësisht të rehabilituar që tashmë zgjeron kabinetet dhe shërbimet. Ndërkohë zgjerohen kabinet e shërbimeve nga 14 shërbime që ofroheshin në këtë poliklinikë, aktualisht jemi në 22 shërbime. Pajisja DEXA është një pajisje që vlerëson densitetin e kockës dhe për gratë është shumë e rëndësishme. Vazhdojmë me grafinë, e cila është gjithashtu një pajisje diagnostikuese që i ka munguar qytetit të Shkodrës në poliklinikë, ofrohej vetëm në spital." , shprehu Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu gjatë takimit të saj me mjeket.