Hasani dhe ministri francez për Evropën: Franca mbetet një mbështetje e fortë për Shqipërinë në procesin e integrimit në BE
di Redazione
09/04/2025
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka pritur sot ministrin francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ka filluar një vizitë dyditore në Shqipëri. Gjatë takimit, të dy liderët theksuan angazhimin e përbashkët për avancimin e integrimit evropian, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Ministri Hasani theksoi se vizita e Haddad reflekton marrëdhëniet e veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale që janë krijuar ndërmjet Shqipërisë dhe Francës mike. Në kontekstin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Hasani vlerësoi angazhimin e palëkundur të Francës në institucionet e BE-së, duke e cilësuar atë si të një rëndësie të veçantë për sigurimin e një procesi të drejtë dhe transparent të negociatave për anëtarësim.
"Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Hasani.
Ndër të tjera, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt”, nënvizoi ministri Hasani.