Hasani me ministren daneze: Objektivi ynë është hapja e të gjithë kapitujve të negociatave brenda këtij viti
di Redazione
20/05/2025
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi sot se “qëllimi i qeverisë shqiptare është hapja e të gjithë kapitujve të negociatave këtë vit, gjatë presidencës daneze të Bashkimit Europian”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me ministren e Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, ministri Hasani shprehu besimin se Shqipëria do të përmbyllë negociatat për anëtarësim në BE brenda vitit 2027.
“Vizita përkon për koinçidencë pikërisht dy ditë para konferencës së pestë ndërqeveritare në Bruksel midis BE-së dhe Shqipërisë, ku parashikohet të çelet zyrtarisht grupkapitulli i tretë, i cili që lidhet me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Ky grupkapitull përfshin 8 kapituj të rinj që hapen”, - shprehu Hasani.
Ministri Hasani foli dhe përbindjen se gjatë këtij viti do të hapen edhe grupkapitujt e mbetur të negociatave, ndërsa synimi është që procesi të përmbyllet deri në vitin 2027. Ai theksoi se viti 2030 përbën afatin maksimal, kur Shqipëria pritet të ulet si e barabartë mes të barabartëve në tryezën e Bashkimit Europian.
Duke theksuar se Danimarka do të marrë presidencën e Bashkimit Europian më 1 korrik, ministri Hasani u shpreh i bindur se “nën udhëheqjen dhe me mbështetjen e presidencës daneze, Shqipëria do të përmbush edhe qëllimin e saj brenda gjysmës së dytë të këtij viti që të hapë për negocim edhe dy grupkapitujt e tjerë të mbetur”.
“Bëhet fjalë për grupkapitullin mbi Axhendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjet, si edhe grupkapitulli mbi Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin”, theksoi Hasani.