Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Ibrahimaj: Përkrahje për bizneset e certifikuara në zbatimin e standardeve të Bashkimit Europian

25/04/2025

Ibrahimaj: Përkrahje për bizneset e certifikuara në zbatimin e standardeve të Bashkimit Europian

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur sot fillimin e programit të ri “BE në dyert tuaja”, që synon të ofrojë trajnim dhe mbështetje për bizneset shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Ky program synon të ndihmojë bizneset shqiptare të njohin dhe të zbatojnë standardet e Bashkimit Europian, duke i udhëzuar drejt certifikimeve të nevojshme për eksportin e produkteve në tregun europian.

Gjatë një takimi në Shkodër me përfaqësues të biznesit të vogël, ku mori pjesë edhe kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo nismë përbën një mundësi për të rritur konkurrueshmërinë dhe kapacitetet e bizneseve shqiptare, duke forcuar integrimin europian të vendit. Ajo shtoi se programi është një hap kyç për të mundësuar që bizneset të përfitojnë nga mundësitë që ofron tregu i përbashkët europian me 450 milionë konsumatorë.

Duke folur për zhvillimet ekonomike, ministrja Ibrahimaj theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një ekonomi me prodhim vjetor 9.6 miliardë euro, në një ekonomi që sot arrin 25 miliardë euro. Ajo nënvizoi gjithashtu rritjen e PBB-së për frymë nga 3,300 euro në mbi 10,300 euro, me synimin për të arritur në 15,000 euro deri në vitin 2030.

Ibrahimaj përmendi gjithashtu mbështetjen që i është dhënë biznesit të vogël nëpërmjet politikave fiskale, si dhe uljen e taksave që prej vitit 2021, me pragun e ri të tatimit mbi fitimin në 140 mijë euro. Sipas saj, kjo politikë ka ndihmuar rreth 99 mijë biznese dhe ka lënë rreth 66.5 milionë euro më shumë çdo vit në dispozicion të tyre.

Në përfundim, ministrja theksoi se këto politika dhe transformime kanë sjellë uljen e papunësisë nga 17.9% në 8.8%, ndërsa Shqipëria synon të arrijë nivelin 6.6% deri në vitin 2030, në përputhje me mesataren e Bashkimit Europian.