Igli Hasani pret homologun polak : Polonia mbështet integrimin e Shqipërisë drejt BE
di Redazione
19/12/2024
Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani, mirëpriti në Tiranë Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, gjatë një vizite zyrtare. Kjo vizitë u konsiderua një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Polonisë.
Dy ministrat theksuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh dhe nënvizuan rëndësinë e zgjerimit të tij në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp pas takimit, ministri Igli Hasani e vlerësoi Konferencën e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së si një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ky proces i hapjes së kapitujve është jetik për integrimin dhe hapja e Grup-Kapitullit 6, që lidhet me politikën e jashtme dhe sigurinë, është një gur kilometrik për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha ministri Hasani.
“Ne jemi të vendosur të mbështesim integrimin e Ballkanit Perëndimor. Mirëpresim rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ndërtimin e urave midis kombeve e po kështu angazhimin tuaj për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Vlerësojmë aktivitetin tuaj intensiv në forumet ndërkombëtare si dhe pozicionimin e qartë të Shqipërisë në raport me agresionin rus kundër Ukrainës. Vlerësojmë po ashtu harmonizimin tuaj të plotë me politikat e jashtme të Be-së”, shprehu Sikorski.
Dy ministrat riafirmuan angazhimin për të zgjeruar ndjeshëm shkëmbimet dhe investimet midis dy vendeve, duke u fokusuar në potencialet e mëdha që ofrojnë sektorët e turizmit, bujqësisë, energjisë së rinovueshme dhe teknologjisë.
Në vitin 2023, Shqipëria mirëpriti 232,970 turistë nga Polonia, duke shënuar një rritje prej 39% krahasuar me vitin 2022. Ky trend vazhdoi të përmirësohej gjatë vitit 2024, me një rritje prej 45.4% të numrit të turistëve polakë, duke theksuar mundësitë e konsiderueshme për bashkëpunim në sektorin e turizmit.
Articolo Precedente
Belinda Balluku inspektim në Lotin 1 të unazës së madhe të Tiranës : Është gati në 31 dhjetor
Articolo Successivo
Qeveria zhvillon takimin vjetor me Këshillin Koordinues të Diasporës