Interpelancë me Ministren e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa
di Redazione
12/12/2024
Në nisje të punimeve të seancës së sotme plenare u zhvillua interpelanca me ministren e Arsimit dhe Sportit, znj.Ogerta Manastirliu, kërkuar nga deputetja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, znj.Ina Zhupa, lidhur me ngjarjen e ndodhur pak javë më parë jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë dhe sigurinë në shkolla.
Në fjalimin e saj, deputetja Ina Zhupa theksoi shqetësimin për sigurinë në shkolla dhe theksoi nevojën e forcimit të rolit të mësuesve. Ajo deklaroi: "Mësuesit duhet të kenë pagë të denjë dhe të trajtohen me dinjitet." Për ngjarjen që ndodhi jashtë shkollës "Fan Noli" në Tiranë, deputetja e vlerësoi si një incident i paralajmëruar, i cili pasqyron probleme të thella dhe keqpërdorime në sistemin arsimor.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu, në përgjigjen e saj theksoi se një ngjarje e tillë nuk duhet të përdoret për përfitime politike të momentit, por kërkon një reagim të përgjegjshëm nga të gjithë. Ajo sqaroi se është formuar një grup pune për të monitoruar zbatimin e protokolleve të punës në çdo hallkë përgjegjëse, lidhur me ngjarjen e ndodhur.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit është tërësisht e angazhuar për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave të parandalimit të dhunës në shkolla, rishikimin e protokolleve të ndërhyrjes së shpejtë të oficerëve të sigurisë, punonjësve socialë dhe psikologëve në shkolla,zgjerimin e platformave proaktive të sinjalizimit të hershëm, të çdo forme të dhunës, bullizmit përfshirë atë online dhe forcimin e shërbimeve sociale në strukturat arsimore dhe komunitet, masa, që do pasqyrohen në Planin Kombëtar të Veprimit për parandalimin e çdo forme të dhunës, bullizmit dhe rritjes së sigurisë në shkolla, puna për të cilin ka nisur” , shprehu ministrja Ogerta Manastirliu.